Euro do të jetë monedha zyrtare e Shqipërisë pas anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian. Kjo parashikohet në projektligjin e ri “Për Bankën e Shqipërisë”, i cili është hedhur për konsultim publik dhe për herë të parë përfshin një kapitull të veçantë që rregullon kalimin nga leku te euro.
Ekonomisti Gentian Beqiri vlerëson se adoptimi i euros dhe anëtarësimi në eurozonë do të sjellin përfitime të rëndësishme për ekonominë shqiptare, duke ulur kostot e transaksioneve, eliminuar rrezikun e kursit të këmbimit dhe forcuar stabilitetin financiar.
“Pavarësisht se ne nuk jemi pjesë, por Euro është pjesë e ekonomisë dhe ndërkohë ne nuk kemi përfitimet e të qenurit në eurozonë që të kemi nivel shumë të ulët të interesave bankare. Nuk kemi rrezikun e kursit të këmbimit. Kursi i këmbimit është shumë i luhatshëm dhe i paparashikueshëm. Ka kosto për të këmbyer monedhën. Pra, bërja pjesë e euros i eliminon këto.”
Sipas tij, përfshirja e Shqipërisë në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore do të krijojë më shumë siguri dhe standarde më të larta për ekonominë e vendit.
“Kur je pjesë e një ekonomie më të madhe, një ekonomi e vogël si Shqipëria bëhet pjesë e një sigurie dhe një standardi më të lartë se sa kemi aktualisht. Bërja pjesë do të thotë që ne të përfitojmë, duke pasur edhe një pjesë të vogël përqindje të caktuar në bazë të shërbimeve që do të kemi si pasojë e fitimit. Pra, ka patjetër shumë e shumë anë pozitive.”
Eksperti thekson gjithashtu se anëtarësimi në eurozonë do të sjellë një ndarje më të qartë të përgjegjësive mes qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë në hartimin e politikës monetare.
“Deri në këtë moment ne kemi parë shumë ndërhyrje, pra nuk e kemi të ndarë me thikë rolin e qeverisë, të politikës dhe rolin e Bankës së Shqipërisë. Si pasojë e kësaj, këto do të jenë shumë të qarta.”
Projektligji, që ndodhet në fazën e konsultimit publik, synon përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian. Ai parashikon gjithashtu rritjen e kapitalit të Bankës së Shqipërisë nga 2.5 në 6 miliardë lekë, si dhe rritjen e Rezervës së Përgjithshme nga 12.5 në 30 miliardë lekë.
