Kryeministri Edi Rama gjatë konferencë për shtyp me ambasadorin e BE-së, Soreca u pyet edhe për amendamentet e PD-së. Ai tha se nuk kërkonte të komentonte amendamentet pa u realizuar një herë procesi i dialogut.
“Ne kemi dhënë disponim total për ti diskutuar në mënyrë serioze në procesin e dialogut që sipas meje duhet të ushqehet me vullnet të mirë mes palëve, dhe për këtë arsye do më ndjeni që të mos jap opinione përpara se sa ti japim këtij dialogu një shans real, dhe natyrisht të kemi mundësinë ti ballafaqojmë opinionet tona me palën tjetër, duke pasur vullnetin e mirë të dëgjojmë pa paragjykuar dhe duke kërkuar të dëgjohemi. Në fund të fundit cilësia e një bashkëjetese në çdo instancë, që nga familja e vogël deri te një bashkësi e madhe nuk përcaktohet nga sa shpesh biem dakord, po mënyra se si nuk biem dakord. Tjetër është të mos biesh dakord duke ushqyer me nonsens, me frymë konstruktive ndërveprimin dhe tjetër është të mos biesh dakord duke u kapur për flokësh. Unë dëshiroj ti japim një shans të plotë dialogut. Opozita ka bërë tre propozime, mund të bëjë dhe më shumë , është në të drejtën e vet, ne kemi detyrën që ti japim mundësi këtyre propozimeve të diskutohen pa e dëmtuar këtë proces duke dhënë paraprakisht opinionet përfundimtare. Nuk do të ishte etike në raport me respektin ndaj këtij procesi dhe në raport me mishërimin praktik të një vullneti të shprehur me fjalë që jemi gati. Po, jemi gati po të diskutojmë drejt për drejt me ta dhe jo me pasqyra ku secili flet vet dhe nuk dëgjon çfarë thotë tjetri”, tha Rama.
