Me thirrjet ‘ti nuk je vetëm’ apo ‘përdhunimi është krim’, dhjetëra persona janë ngritur në protestë ditën e sotme në Mirditë, në mbështetje të 15-vjeçares që u përdhunua nga 5 persona.
Ngjarja e rëndë bëri bashkë shumë persona, të cilët akuzojnë shtetin që nuk bën sa duhet për të mbrojtur gratë e vajzat, duke kërkuar më shumë vëmendje dhe marrje masash nga institucionet shtetërore.
I pranishën në këtë protestë ishte edhe Dom Gjergj Meta, ipeshkvi i Dioqezës së Rrëshenit. Ai tha se i është bashkuar kësaj kauze të rëndësishme për të hapur një perspektivë ndryshe ndaj grave dhe vajzave. Ipeshkvi i Rrëshenit kërkoi më tepër vëmendje për parandalimin e ngjarjeve të tilla.
“Ne i jemi bashkuar kësaj nisme me gjithë zemër dhe shpresojmë që të jetë një mesazh sensibilizues. Me faktet konkrete shpresojmë të merret shteti. Fatkeqësisht do të thoja se shpeshherë zgjohemi vetëm kur ndodhin gjërat, por duhet bërë një punë e përditshme, me këta të rinj, që të kenë respekt për njëri-tjetrin. Të respektosh trupin e tjetrit, vullnetin e tjetrit, lirinë e tjetrit, dhe aq më tepër kur tjetri është i mitur”, u shpreh Dom Gjergj Meta.
