Kryeministri Edi Rama ka folur për median italiane “Corriere della Sera” pas protestës së të shtunës të opozitës, ku sërish shqetësimi i tij është shkatërrimi i kërpudhës si një vepër arti.
“Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë dhe lider i Partisë Socialiste nuk i mohon problemet në vendin e vet. Korrupsioni, për shembull, ekziston”, kështu e nis shkrimin Corriere, që i paraprin intervistës së kryeministrit Rama.
I pyetur për protestën e opozitës, Rama thotë: Nuk po ndodh asgjë. Tashmë është një krizë e opozitës, që nuk është në gjendje të sfidojë politikisht qeverinë. Kjo minorancë është më e dobët krahasuar me zgjedhjet e 2017: nëse do votonim nesër do të merrte më pak vota.
Opozita ka kërkuar largimin e tij, por Rama thotë se as që e mendon një gjë të tillë.
“As që e mendoj. Kam marrë një mandat të qartë nga populli, kam maxhorancën neto në Parlament dhe në fund kam detyrime ndaj bashkëatdhetarëve të mi. Nuk jam i detyruar ti ëprgjigjem kërkesave të minorancës parlamentare. I vetmi detyrim është kontrata që kam me popullin shqiptar që na ka dhënë votën të qeverisim”, thotë Rama.
Sipas shefit të qeverisë e vetmja gjë që bëri protesta e opozitës është imazhi negativ i Shqipërisë me një dhunë absurde, por me rezultate zhgënjyese. “E vetmja pasojë konkrete është shkatërrimi i një vepre arti, një kërpudhe, që ishte instaluar në hyrje të godinës së kryeministrisë”, tha ai.

