Partia Demokratike e Fierit tha se ishin shoqëruar në polici 50 persona për protestën e një dite më parë shumë pranë vendit të takimit të kryeministrit Edi Rama me gratë dhe vajzat në ditën e 8 marsit.
Por në një njoftim zyrtar, policia e këtij qarku bën të ditur se katër persona janë arrestuar në flagrancë, ndërsa procedim penal në gjendje të lirë ka nisur për 41 persona të tjerë, që sipas policisë mbajtën të bllokuar rrugën duke penguar lëvizjen e lirë të mjeteve.
Një ditë më parë kryeministri Edi Rama u prit me protestë në Fier, ku pati edhe konfrontime me policinë, pasi nuk u lejuan ti afrohen takimit. Ata u tubuan rreth 500 metra afër aktivitetit.
NJOFTIMI I POLICISË
Policia arreston në flagrancë 4 shtetas si dhe procedon penalisht në gjendje të lirë 41 shtetas të tjerë, të cilët gjatë ditës së djeshme kanë marrë pjesë në grumbullime të paligjshme dhe kanë mbajtur të bllokuar rrugën duke penguar lëvizjen e lirë të mjeteve.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, arrestuan në flagrancë për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, shtetasit:
- H.H, 59 vjeç, banues në Patos
- G.B, 56 vjeç, banues në Patos
- B.J, 56 vjeç, banues në Patos
- B.Xh, 56 vjeç, banues në Roskovec.
Janë proceduar në gjendje të lirë edhe 41 shtetas të tjerë për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.
Vazhdon puna për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore edhe të personave të tjerë, të cilët kanë marrë pjesë në këto grumbullime të kundraligjshme.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
Policia nuk ka dhënë ende informacion zyrtar lidhur me shoqërimet, po dega e PD-së së Fierit bën të ditur për rastin në fjalë.
