Mbi 65 mijë litra qumësht i derdhën fermerët para Ministrisë së Bujqësisë. Të udhëhequr nga Shoqata e Qumështarëve, prodhuesit protestuan të hënën me kërkesën që të fillojë sa më parë grumbullimi i qumështit.“Kërkesa jonë urgjente, të fillojë grumbullimi i qumështit qysh nga ky moment. Nuk kemi vende ku ta deponojmë, jemi të detyruar ta derdhim”, deklaroi Fidan Krasniqi, përfaqësues i Shoqatës së Qumështarëve.
Kërkesë tjetër e fermerëve ishte edhe rregullimi i tregut, duke shtuar se po dëmtohet prodhuesi vendor. Fermerët ka katër ditë që nuk kanë ku e çojnë qumështin pasi një prej kompanive më të mëdha grumbulluese ka ndërprerë punën si revoltë ndaj një inspektimi nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës.
Përfaqësuesi i kompanisë akuzoi institucionet qendrore për bllokim të publikimit të rezultateve të analizave, duke shtuar që kualiteti i qumështit është i lartë.
“Ju bëj thirrje sa më parë ministrit të bujqësisë, AUV-it, të dalin me rezultate, ato të cilat i kanë gjetë për prezencën e qumështit pluhur, që nuk ka qumësht pluhur, edhe këta e dinë që nuk ka qumësht pluhur”, shprehet Kushtrim Tigani, përfaqësues i kompanisë “Vita”.
Pas protestës, prodhuesit u pritën në takim nga Ministri i Bujqësisë, Armend Muja me të cilin arritën dakordimin që përkohësisht kompania e përpunimit të qumështit të rinis qysh sonte grumbullimin e qumështit që e merr nga fermerët, ndërkohë që obligohet AUV që sa më shpejtë të nxjerrë rezultatet nga inspektimi.
Më 2 korrik Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës zhvilloi një inspektim të jashtëzakonshëm në kompaninë për përpunimin e qumështit dhe ka konstatuar se ka përdorim të qumështit pluhur, vajit të palmës dhe lëndëve të tjera ndihmëse që nuk përputhen me legjislacionin në fuqi.
AUV tha se nuk ka marrë masa të ndërprerjes së veprimtarisë, megjithatë kompania ka ndërprerë mbledhjen e qumështit nga fermerët me arsyetimin se inspektimi nga autoritetet u bë me qëllim të dëmtimit të biznesit.
