Kauza për qeverinë teknike që u kërkua nga PD-ja në protestën e 11 korrikut, për Dashamir Shehin, është hipokrizi. Për të opozita duhet të fokusohet tek reforma zgjedhore, nëse do të zgjidhë vërtetë problemin e vjedhjes së votave dhe administrimit të zgjedhjeve.
“Kauza quhet qeveri teknike. Unë nuk jam për qeveri teknike. Është një hile e vjetër e kot që nuk ka funksionuar ndonjëherë në Shqipëri. A bëmë qeveri teknike në 2017? Çfarë fituam? Kemi bërë në 1991, pa sukses. Qeveri e shpëtimin kombëtar në 1997, çfarë fitoi Shqipëria”.
Më ashpër në kritika ishte me Ilir Metën. Sipas Dashamir Shehit, Meta nëse vërtetë kërkon drejtësi duhet të shkojë të përballet me prokurorët dhe jo t’i sulmojë nga protesta e opozitës. “Ai ka hip atje të thoshte ato Dum Dumanët, të shante prokurorët që i vijnë vërdallë. Në vend që të përballet si burrat për atë që kanë bërë ia venë fajin sistemit.
Që Berisha mund të qahet dhe të bërtasë, i ka nja dy të drejta, pasi po mbahet në arrest për një çështje administrative, unë do e kisha nxjerrë nga burgu që mos bëjë heroin nga penxherja. Se u bë qesharake kjo punë. Të dalë e të vijë në parlament të flasë si gjithë të tjerët”.