Studentët e Universitetit “Luigj Gurakuqi” janë mbledhur për të protestuar në hyrje të godinës së re të Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Në shenjë simbolike, studentët kanë thyer xhamin e derës të godinës, duke u shpjeguar se shkak për të protestuar është vonesa e inagurimit të ndërtesës së FSHN-së, që ishte premtuar të ndodhte me fillimin e sezonit të dytë akademik.
Me të thyer xhamin, studentët patën mundësi të depërtonin në brendësi të godinës ende në punim e sipër, ku u përfshinë në një debat me tone të larta me rektorin e Universitetit të Shkodrës, Adem Bekteshin. Në vendngjarje mbërritën edhe forcat e policisë vendore.
Studentët u shprehën të vendosur në kërkesën e tyre për çeljen e shpejtë të godinës së re të FSHN-së, duke paralajmëruar në të kundërt vijimësinë e protestës. Ndërkohë, po punohet për identifikimin e studentëve që kanë thyer xhamin, në mënyrë që të sanksionohen me pagimin e dëmit të shkaktuar.