Aulona Musta është një ndër moderatoret më të ndjekura të televizionit shqiptar, kjo dhe për faktin se angazhohet me ndjekësit përtej punës së saj. Duke numëruar më shumë se 235 mijë të tillë në Instagram, Aulona shpesh ndan me ta këshilla për produkte të ndryshme apo stilin e jetesës.
Ndalemi te kjo e fundit: të gjithë e dinë pasionin e saj të madh për një jetesë të shëndetshme që përfshin shumë palestër e aktivitet fizik, si dhe ushqim të mirëbalancuar.
Dhe përtej videove nga stërvitja e saj, kohët e fundit Aulona ka ndarë me ndjekësit dhe receta gatimi, prej të cilave kemi përzgjedhur 4!
Cous cous me perime dhe gjoks pule
Përbërësit: qepë, speca jeshil, spec i kuq, kungull, kërpudha, misër, fasule e kuqe, domate, spinaq, gjoks pule, kripë, hudhër, dhe erëza (piper i kuq, shafran)
Përgatitja:
Skuqim qepën me vaj ulliri, bashkë me specin jeshil dhe atë të kuq. Unë i hedh erëzat që në fillim. Shtojmë perimet me radhë (kungull, misër, fasule, kërpudha, domate dhe në fund fare spinaqin).
I lemë disa minuta në zjarr me njëra-tjetrën sa të fillojnë të marrin ngjyrë, pastaj shtojmë pulën (unë e kisha gatuar më parë kështu që s’kishte nevojë për gatim prandaj e hodha të fundit). Shtojme cous cousin, e kaverdisim për 2-3 minuta bashkë me perimet dhe mishin dhe pastaj shtojmë ujin (masat janë si për orizin 1 me 2).
Cous cousi s’ka nevojë të lihet shumë në zjarr, mjaftojnë 5-6 minuta, kur të ketë pirë gjithë ujin e hiqni.
Enchilada Rice
Përbërësit: vaj, 1 qepë e kuqe, 2 speca jeshilë, 2 speca të kuq, 2 domate, fasule të kuqe, oriz, salcë domate, piper i kuq, piper i zi, kripë, djath kaçkavall, avokado.
Përgatitja: Skuqim vajim me hudhër dhe qepë në një tigan të thellë. Shtojme specin e kuq dhe jeshil dhe i skuqim bashkë për 2-3 minuta. Hedhim domaten e prerë në kubik dhe i lemë dhe një minutë. I heqim nga zjarri dhe i hedhim në një enë tjetër. Ndërkohë tek i njëjti tigan hedhim ujin e lemë të ziejë dhe kur të ketë marrë valë hedhim orizin (masa varet për sa veta do gatuani).
E lemë të ziejë deri sa të zbutet pastaj e heqim nga zjarri dhe e hedhim në një tavë. I hedhim sipër masën e përgatitur më parë, fasulet, erëzat, fileton e pulës dhe i përziejmë të gjitha bashkë. Në fund i shtojmë djath kaçkavall sipër dhe i fusim në furrë në 180 gradë, për 20-25 minuta.
Pasi të jetë gati, e nxjerrim, e lemë 5 minuta dhe i shtojmë copa avokado sipër.
Risotto brokoli me karkaleca
Përbërësit: 1 brokoli mesatar, vaj ulliri, hudhër, 3 karrota, 500 gram karkaleca, 150 gramë bizele, 2 vezë, piper i kiq, 3 lugë gjelle soya.
Përgatitja: Si fillim fusim brokolin në procesor dhe e grijmë shumë imët. Ndërkohë skuqim vajin me hudhrën për pak minuta. Shtojmë karrotën të prerë në copa të vogla dhe e lemë për 5 minuta. Shtojmë karkalecat dhe i lemë 3-4 minuta të gjitha bashkë, duke i përzierë herë pas here. Më pas shtojmë bizelet dhe brokolin e grirë. Shtojmë piperin.
I përziejmë të gjitha bashkë dhe presim derisa mos të ketë fare ujë në tigan dhe brokoli të jetë e thatë. E hapim anash, duke lënë një boshllëk në mes të tiganit në forme rrethore dhe aty hedhim dy vezët (që i kemi bashkë në një pjatë tjetër).
Presim 1-2 minuta sa të fillojë veza të marrë pak nga poshtë dhe e përziejmë bashkë me pjesën tjetër sa të bëhen një mase. Pasi kemi fikur zjarrin i shtojmë salcën e soyes dhe voila, kaq ishte!
“Biskota” të ngrira me fruta pylli
Përbërësit: 200 gr hurma arabie, 250 gr fruta pylli (boronica, manaferra), 175 gr arra, 150 gr casheës(arra indiane, të cilat i lëmë në ujë më parë për rreth një orë), 175 ml kos (dele ose soje), 1 lugë e vogël vanilje, gjysmë limon i shtrydhur.
Përgatitja: Fillimisht përziejmë arrat me hurmat (i shtojmë dhe dy lugë ujë) për disa minuta në frulator, derisa të bëhet një masë homogjene. E shtrojmë në një tavë, ku është vendosur një letër kuzhine më parë dhe e lëmë për 10 minuta në frigorifer.
Gjatë kësaj kohe përgatisim shtresën e sipërme duke hedhur në frulator gjithë përbërësit e tjerë dhe duke i përzierë për 3-4 minuta derisa të bëhet një masë e trashë dhe homogjene.
Ndërkohë nxjerrim pjesën tjetër nga frigoriferi dhe i hedhim përsipër shtresën e “kremit” që kemi krijuar. I lëmë në frigorifer për 6 orë.
Pasi t’i provoni dhe shijoni, jemi të sigurtë që një mendim do ju vijë në mendje: pse nuk ka bërë ende një libër gatimi? /Blitz/