Ish-ministrat e kabinetit qeveritar duket se kanë filluar të kenë pakënaqësi me personat që i zëvendësuan në dikasteret e tyre. Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve të Kuvendit të Shqipërisë ka pasur një diskutim të gjatë ndërmjet Kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi dhe ministres për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, ku ka kërkuar që ministrat e rinj të zbatojnë rekomandimet që u jepen nga institucionet e pavarura, në të kundërt do “t’u dalë emri në tabelën e zezë”.
Gazeta “Panorama” sjell të zbardhur procesverbalin e mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve të datës 18 mars, ku Ruçi ka hedhur kritikat e tij ndaj ministrave. “Nuk i ndaj ministrat në të vjetër apo të rinj. Në raport, qoftë në takimin e radhës që do të bëjmë me institucionet e pavarura, qoftë me raportimin që do t’i bëj Parlamentit, do të përmendet me emër dhe mbiemër çdo ministër, i cili nuk e përmbush misionin e tij si ministër në raport me këto institucione. Domethënë, t’iu bëhet e qartë, veçanërisht të rinjve, që janë vendosur ministra.
Të mos thonë si na doli publikisht emri kështu. Prandaj, pa shkuar këtu, edhe shërbimet e Kuvendit duhet t’ua bëjnë të qartë, edhe ju si ministre që mbuloni Marrëdhëniet me Parlamentin duhet t’ua toni të qartë. Pastaj, në qoftë se nuk e bën ai detyrën, atëherë do t’i dalë emri në tabelën e zeze”, është shprehur Ruçi.
Këtij debati i është bashkuar edhe kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Arben Ahmetaj, i cili deri para pak muajsh ka mbajtur detyrën e ministrit të Financave. Ai ka kërkuar nga Spiropali që pasardhësja e tij në krye të Ministrisë së Financave të mos vonojë nismën për vendosjen e TVSH-së se reklamave për mediat online.
“Unë e ngrita shqetësimin edhe në mbledhjen e grupit, por po ia kujtoj ministres për Marrëdhëniet me Parlamentin që ta shtyjë pak Ministrinë e Financave të kthejë përgjigje për nismën e TVSH-së për mediat elektronike, që ta fusim në axhendë për 3 javët e ardhshme”, ka thënë Ahmetaj.
“Patjetër, por do t’ju lutesha që kur t’i nisni një shkresë një ministrie, të më vini edhe mua për dijeni që t’i kem”, është përgjigjur minsitrja Spiropali.