Juristi Kreshnik Spahiu ka ironizuar grupin e Sali Berishës, ndërsa komentonte vendimin e Apelit që i dha vulën ish-kryeministrit. “Pse ‘gjykatat’ e Edi Ramës ja dhanë vulën Sali Berishës?”, tha me ironi Spahiu i ftuar në një emision televiziv.
“Rama është regjisori i këtij teatri. Dy aktorët janë Sali Berisha dhe Lulzim Basha. Pse gjykatat e Ramës i dhuruan sot vulën Sali Berishës? Pse vendosën që kryetari i opozitës të jetë Berisha? Nëse të gjitha këto janë të vërteta, që gjykatat kontrollohen nga Rama, për rrjedhojë logjika të çon që Rama urdhëroi që kjo vulë ti kalojë Berishës, duke përcaktuar që kundërshtari i Ramës të jetë Berisha dhe më pas Argita vajza e tij. Por a i intereson Ramës kjo që ta bëjë apo jo? Ka disa premisa që të çojën që Rama vazhdon të ketë një marrëveshje të fshehtë të palëkundur me Berishën, Metën dhe Bashën. 4 familje kanë vendosur që të kontrollojnë mushkëritë e politikës duke mos lejuar asnjë lëvizje të mos futet. 4 persona vijojnë të jenë të paprekshëm. Po tentojnë të bëhen një bllok kundër SPAK” – tha Spahiu.
