Kriptomonedhat po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme në ekonominë globale. Ato janë një lloj universi më vete, që po zgjerohet përmes një rritje të qëndrueshme, pavarësisht nga skepticizmi i shumë njerëzve. Në pjesën më të madhe të botës perëndimore, kriptomonedhat shihen me shumë dyshim, cilësohen si shumë të paqëndrueshme dhe i nënshtrohen spekulimeve shumë të mëdha.

Por në vendet në zhvillim, ato po hedhin rrënjë në heshtje. Sidomos në shtetet që kanë ekonomi historikisht të paqëndrueshme, përdorimi i kriptomonedhave po bëhet me shpejtësi një realitet për të gjithë qytetarët, në një pjesë e jetës së tyre të përditshme.

“Chainalysis”, një bazë e të dhënave blockchain, e klasifikon Vietnamin si vendin e parë në botë për përdorimin masiv të kriptomonedhave:në 20 vendet e para, 19 janë tregje në zhvillim ose ende shumë të vegjël, dhe vetëm Shtetet e Bashkuara përfaqësojnë ekonomitë e përparuara në vendin e tetë në këtë renditje për këtë vit.

Të dhënat e mbledhura nga “UsefulTulips.org”, portal që gjurmon transaksionet e Bitcoin në platformat më të mëdha të tregtimit të kriptomonedhës në botë, tregojnë se javët e fundit Afrika Sub-Sahariane e ka tejkaluar Amerikën e Veriut si rajoni me vëllimin më të lartë të shkëmbimeve në këtë lloj monedhe.

“Kjo e ndryshon pozicionin e Bitcoin në sistemin financiar global, dhe e përshpejton të gjithë debatin mbi monedhat dixhitale,duke nxitur marrjen e tij shumë seriozisht”- thotë Pol Domjan, bashkautor i librit “Reagimi zinxhiror:Si do ta transformojë Blockchain botën në zhvillim”.

Një arsye kryesore për përhapjen e madhe të Bitcoin në zona të caktuara të botës, është se ato ofrojnë një alternativë të besueshme monetare ndaj monedhave tradicionalisht të dobëta.“Tregjet në zhvillim janë një terren pjellor për kriptomonedhat.

Si një mjet për ruajtjen e vlerës, si një mjet këmbimi, apo si një njësi llogarie bankare, në kushte kur në disa vende në zhvillim monedhat kombëtare janë shumë shpesh të pamjaftueshme. Për më tepër, inflacioni i paparashikueshëm, dhe kurset e paqëndrueshme të këmbimit, të kombinuara me sisteme të paqëndrueshme bankare dhe kufizime financiare, i bëjnë më tërheqëse kriptovalutat”- thuhet në një artikull të gjatë të“Financial Times”.

Nigeria, vendi më i populluar në Afrikë, na jep një shembull për ta kuptuar më mirë situatën. Është një vend me një popullsi të re, një klasë të mesme kreative dhe shumë aktive, dhe që megjithatë duhet të përballet me norma të larta të papunësisë dhe vështirësi ekonomike të përhapura në të gjitha segmentet e popullsisë.

Luhatjet e çmimit të naftës, eksporti kryesor i vendit, kanë ende një ndikim të madh në ekonominë nigeriane. Dhe pas rënies së fundit të tyre, shumë kompani nuk ishin në gjendje të paguanin furnitorët dhe huadhënësit e huaj, duke çuar në thuajse falimentimin e një termocentrali të mbështetur nga Banka Botërore, dhe që furnizon me 1/10 nevojat energjetike të vendit.

Për qytetarët, lëvizja e parave, lëshimi i faturave, marrja e dërgesave nga jashtë apo kryerja e operacioneve të tjera të ngjashme, është gjithmonë një problem. “Kur prekni nga afër realitetin e shumë shteteve afrikane, e kuptoni se për njerëzit çdo operacion i përditshëm është një sfidë kur është fjala për paratë. Gjëra që ne perëndimorët as që mund t’i imagjinojmë”-thotë Rej Jusef, kreu i Paxful, një platformë që lejon përdoruesit të shkëmbejnë para drejtpërdrejt me njëri-tjetrin në kriptomonedha.

Një e treta e përdoruesve të Paxful banojnë në Afrikë, dhe Nigeria është tregu i saj më i madh (edhe sepse është një territor që strehon mbi 200 milionë banorë).Sot platforma ka mbi 1.5 milionë përdorues, një rritje me 83 për qind që nga qershori 2020.

Gjithsesi, kriptovalutat nuk po përdoren vetëm si një zëvendësues i thjeshtë i monedhës tradicionale. Përkundrazi, nga Venezuela në Kenia, nga Brazili në Vietnam, njerëzit përdorin një portofol të diferencuar të kriptomonedhës, secila për një gjë të ndryshme.

“Kriptomonedhat si DASH përdoren më shumë për blerje më të vogla, Bitcoin për ato më të mëdha për shkak të tarifave më të larta, ndërsa Litecoins për gjëra të tilla si pagesa e faturave, abonimeve mujore dhe gjëra të ngjashme”- thotë Jusef për “Financial Times”.

Monedhat kriptografike janë gjithashtu një alternativë shumë e dobishme për remitancat tradicionale, një mjet shpëtimi vendimtar për shumë ekonomi në zhvillim: këtu shumë shpesh transferimi i parave përtej kufijve, përmes kanaleve tradicionale, mund të jetë pengues për sa i përket shpenzimeve.

“Dërgimi i parave në Afrikë është gjithashtu një makth i vërtetë, ndërsa dërgimi i parave jashtë Afrikës – në Amerikë, Evropë, Kinë etj. Eshtë pothuajse i pamundur, në rast se nuk jeni të pasur”- vijon më tej artikulli i gazetës britanike.

Sipas Bankës Botërore, kostoja e dërgimit të 200 dollarëve në vendet afrikane nën-Sahariane ishte mesatarisht 9 për qind e vlerës së transaksionit në 3-mujorin e parë të vitit 2020, më e larta nga çdo rajon në botë. Dhe në disa vende kjo tarifë mund të jetë mbi 10 për qind.

Me kriptomonedhat këto tarifa janë zakonisht midis 2-5 për qind. Tarifat mesatare të transaksioneve me Bitcoin ishin më pak se 3 dollarë në gushtin e këtij viti, ndërsa për Etherum varionin midis 8-44 dollarë. Gjithsesi, këto operacione financiare nuk janë fare pa rrezik. “Financial Times” intervistoi Paola Subachi, profesoreshë e ekonomisë ndërkombëtare në Institutin e Politikave Globale të Universitetit të Londrës:“Një zgjidhje më e mirë për punëtorët emigrantë do të ishte ulja e kostos së dërgesave të parave. Kriptomonedhat janë një ilaç i keq për një problem që duhet dhe mund të zgjidhet duke përdorur teknologjinë që kemi tashmë në dispozicion.

Kriptomonedhat dhe kompanitë pas tyre,na paraqiten si mjete për të kryer transaksione financiare, por ata që përjashtohen nga strukturat tradicionale financiare janë pikërisht ata që kanë më pak nga të gjithë luksin të rrezikojnë me paratë e tyre”.

Pastaj është rasti i veçantë i El Salvadorit, një vend i vogël i Amerikës Qendrore me 6.4 milionë banorë, që do të bëhet shumë shpejt shteti i parë në botë që do ligjërojë përdorimin e Bitcoin. Kjo do të thotë se tregtarët – nga shitësit e makinave tek kafenetë – do të detyrohen ta pranojnë atë si pagesë.

Kjo lëvizje është pritur me mosbesim nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe institucionet e tjera. FMN paralajmëron se përdorimi i gjerë i këtyre kriptomonedhave të paqëndrueshme mund të minojë “stabilitetin makroekonomik” të vendit dhe të ekspozojë potencialisht sistemet financiare ndaj aktiviteteve të paligjshme. / Linkiesta – Bota.al

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here