Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalën e tij në Asamblenë e Zgjeruar të Partisë Socialiste në Pogradec. Nga aty ai ka folur për rritjen e pensioneve.
Sipas Ramës, rritja e pensioneve është më e ngadaltë se procesi i rritjes së pagave sepse numri i pensionistëve është shumë më i madh. Ndërkohë ai bëri me dije se rritja e pagave të shtetit ka stimuluar dhe rritjen e pagave në sektorin privat që ka qenë pjesë e qëllimit të tyre.
“Të mos harrojmë që kemi një numër shumë të lartë pensionistësh, shumë të lartë në krahasim me punonjësit e shtetit dhe për këtë arsye edhe rritja e pensioneve është më e ngadaltë. Duke pasur parasysh që nëse ka një gropë që ne nuk e kemi mbyllur ende, është pikërisht gropa e krijuar në shumë vite nga mungesa e kontributeve shoqërore, se kollaj është të thuash sot, gjyshi apo babai kanë një pension të ulët, por ndërkohë duhet të shohësh nga vetja dhe të pyesësh veten, unë që kur jam futur në punë i kam paguar kontributet e mia që gjyshi apo babai të ketë një pension siç do të dëshiroja unë? Dhe fatkeqësisht përgjigjja është jo. Ndërkohë që në momentin kur ne kemi filluar rritjen e pagave ka ndodhur një rritje e pagave dhe në sektorin privat dhe kjo ka qenë pjesë e qëllimit,” – u shpreh Rama.