Ngjarja e një nate më parë në Mat, ku mbeti i plagosur rëndë një 28-vjeçar dhe u shpall në kërkim autori, 32 vjeç, nuk ishte rastësi. Gjithçka nis në Gjermani.
Rreth një vit më parë, një shqiptar plagoset rëndë me thikë nga bashkëkombasit e tij. Shkak dyshohet të jenë bërë prishjet e pazareve të drogës. Por çfarë e lidh të plagosurin Enrik Metra me këtë histori? Pse Hektor Xheçuka qëlloi në drejtim të tij?
Metra ka jetuar më parë në shtetin gjerman, por në kohën kur ndodhi plagosja e vëllait të Xheçukës, ishte në Shqipëri. Megjithatë, autori i ngjarjes së mbrëmshme pretendonte se Metra kishte dijeni për personat që i plagosën rëndë të vëllain.
Pasi kanë debatuar disa minuta brenda lokalit në Mat, ata janë zhvendosur jashtë. Fillimisht ka pasur një përplasje fizike e më pas Xheçuka e ka qëlluar, duke e plagosur rëndë.
Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes kanë deklaruar para grupit hetimor se Metra i thoshte Xheçukës që nuk kishte dijeni për historinë e të vëllait, sepse ka qenë në Shqipëri.
Duket se kjo përgjigje nuk i ka pëlqyer dhe i mosbindur, ai ka qëlluar. Më pas është larguar në drejtim të paditur, por kamerat e sigurisë së lokalit dhe përshkrimet e dëshmitarëve e identifikuan në kohë rekord.
