Drejtoresha e ISHP, Albana Fico thotë se Komiteti Teknik i Ekspertëve u ka dhënë atyre “okay-n” për përdorimin e testeve të shpejta anti-genik, të cilët sipas saj gjurmojnë një proteinë që është e lidhur me Covid-19.
“Komiteti i Ekspertëve ka dhënë okay-n. ISHP ka qenë e përgatitur, kemi bërë udhëzuesin gati. Ne jemi të qartë për grupet specifike dhe koha është tani. Testet e shpejta janë të tipit antigenik dhe zbulojnë një proteinë të caktuar që është lidhur me covid-19.Kur ka rritje të transmetueshmërisë, këto teste kanë një vlerë të caktuar dhe përdoren në ato pika ku ne kemi problematikë, si fasoneria, shkolla… Duhet të kuptojmë që pavarësisht përdorimit të këtyre testeve që u vihen në dispozicion mjekëve të familjes, spitaleve rajonale dhe epidemiologëve, ne do ti monitorojmë”, u shpreh Fico.
Më tej, ajo shpjegoi dhe pse vonohen tamponët.
“Ka disa momente në të cilat ka pasur shtim të numrit të infeksioneve. Në këto momente me rritjen e numrit të infektuarve ka dhe një rritje të numrit të testimeve. Kjo përkthehet dhe në një vonesë të vogël të ritestimve. Ka dy gjëra, sot jemi në katërfishim nga qershori dhe ky është një numër i madh testimesh. Në këtë proces ka dhe vonesa përsa u përket ritestimeve. Testimet i kryen ISHP me dy laboratorët e vetë, është ISUV-i, është dhe QSUT”, shtoi ajo.
