Prokuroria e Pukës duket se është në ditë të hallit, pasi ka ngelur me vetëm një prokurore, dhe ajo në disa raste nuk arrin të ushtrojë detyrën e saj. Kjo për faktin se është nga Puka dhe në disa procedime ka lidhje familjare me të pandehurit.
Elidjana Kasa, drejtuese e Prokurorisë së Pukës i është drejtuar kryetarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi përmes një letre ku u shpreh shqetësimin e saj që të plotësohet organika në institucionin që drejton.
Ajo i referohet një urdhri të 31 janari të 2018, që Prokuroria e këtij rrethi të ketë vetëm tre prokurorë. Por që nga transferimi i një prej prokurorëve më 8 janar të 2018, në këtë prokurori ka mbetur vetëm ajo, shkruan Balkanweb.
Në letrën e saj shpjeguese Kasa thotë se kërkon plotësimin e vendeve bosh, për shkak se ngarkesa e punës nuk mund të përballohet vetëm prej saj. Por ndërkaq, ajo thotë se për shkak të lidhjeve fisnore, e ka të vështirë të ushtrojë funksionin e saj në disa procedime apo arrestime në këtë qytet.

