Gazetari Roland Qafoku tha në një intervistë për Euronews Albania se anulimi i mbledhjes së dy qeverive, asaj të Shqipërisë dhe Kosovës nga ana e kryeministrit Rama është një moment historik që do të mbahet mend për keq dhe s’mund të kalojë aq lehtë.
“Është një moment negativ, historik, në historikun e marrëdhënieve të dy shteteve. Ne me të vërtetë jemi dy shtete më vete, por ne jemi një komb dhe ky është turpi më i madh që ka ndodhur mes shqiptarëve në dy anët e kufijve,” – u shpreh Qafoku.
Megjithatë, ai doli kundër ish-deputetit të PD-së, Aldo Bumçi i cili e clësoi Ramën si një person që është kundër Kurtit dhe kundër Kosovës.
“Zoti Bumçi në këto 33 vjet, opozitat kështu e kanë vizatuar dhe Sali Berishën, armik të Kosovës, të shqiptarëve, madje dhe agjent të Serbisë, kështu e kanë vizatuar dhe Fatos Nanon, edhe Pandeli Majkon, dhe Ilir Metën. Jo, zoti Bumçi. Edi Rama në këtë histori ka gabim sepse ky anulim i mbledhjes është një gafë e Ramës, por që të themi tani që Rama punon për Vuçiç dhe Serbinë, nuk bën sens,” – u shpreh Qafoku.
