Në qarkun e Fierit, numërimi ka përfunduar për bashkinë e Roskovecit. Fituese është shpallur kandidatja e Partisë Socialiste, kryebashkiakja Majlinda Bufi, e cila pas numërimit të 39 kutive, fitoi me një diferencë prej 579 votash ndaj kundërshtarit të saj të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Erdit Hazizaj. Ditën e djeshme ata u bënë lajm viral, pasi ishin të vetmit kandidatë kundërshtarë që konsumuan një kafe.
Procesi i numërimit është mbyllur edhe në Bashkinë e Patosit, ku kandidati i Partisë Socialiste, Fatjon Duro, ka siguruar mandatin e tij të parë në krye të kësaj bashkie. Ai ka fituar bindshëm me një diferencë prej 5500 votash nga rivalët e tij. Duraj ishte në garë me kandidaten e “Bashkë Fitojmë”, Sofie Alushaj dhe atë të PD-së, Pranvera Rizaj.
Edhe në Lushnje është mbyllur procesi i votimit, ku fiton kryetarja dhe kandidatja e PS-së, Eriselda Stefa me 22402 vota ose 62.64 % përballë rivalit nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”Eduart Shakra që mori 13362 vota, ose 37.36%.
Në Bashkinë e Fierit, kandidati dhe kryetari Armando Subashi ka marrë 70.51% të votave, ndërkohë që ka një tjetër rezultat shumë interesant. Kur janë numëruar 51 nga 224 qendra votimi rreth 30% e votave ndahen mes dy kandidatëve të së djathtës, me kandidatin e Berishës, Evdar Kodheli që merr 17.70% të votave dhe që lë mbrapa kandidaten e Alibeajt, Eriselda Çelaj me 11.79% të votave.
Në Mallakastër, kandidati i PS Qerim Ismailaj kryeson lehtësisht me 50.59% të votave përkundrejt 47.73% të rivalit kryesor Agron Kapllanaj i Partisë Demokratike. Ndërkohë që kandidati i koalicionit Berisha-Meta Resmi Shanaj merr vetëm 6.68%.
Në Bashkinë Divjakë kryeson PS. Kur janë numëruar 12 nga 67 kuti, Josif Gorra i PS kryeson me 60,56% të votave përballë Aurela Malkos të Bashkë Fitojmë me 39.44%.
