Në 24 orë janë vendosur 262 gjoba për qytetarë që kanë shkelur masat vendosura nga qeveria, një tregues në rritje ky që nuk po respektohen rregullat. Një ditë më parë ky numër ishte 230, ditën e hënë 270 e ndërkohë edhe të dielën që ishte dita e gjithë Shqipërisë në karantinë rezultuan 160 shtetas në shkelje.
Sipas policisë gjithastu janë evidentuar dhe 29 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit dhe janë proceduar penalisht tre persona për mosbindje të urdhrit të policisë.
NJOFTIMI I PLOTE
Policia e Shtetit
Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet në të gjithë territorin, në zbatim të masave kufizuese të shpallura nga qeveria shqiptare, për vënien në kontroll të pasojave që sjellin përhapjen e COVID-19.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë evidentuar 29 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020 ”Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19″.
Janë proceduar penalisht 3 shtetas, 1 në Tiranë, për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë; 1 në Korçë dhe 1 Gjirokastër, për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt.
Në të gjithë vendin, gjatë 24 orëve të fundit, si rezultat i kontrolleve të ushtruara nga strukturat e Policisë dhe denoncimeve të ardhura nga qytetarët në adresat zyrtare të Policisë së Shtetit, në 112/129 dhe Komisariatin Dixhital, janë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 262 shtetas, të cilët u konstatuan nga shërbimet e Policisë duke lëvizur në këmbë apo me biçikleta, pa ndonjë arsye apo emergjencë.
Në të gjithë vendin janë konstatuar 6 njësi tregtie që nuk kanë zbatuar orarin e mbylljes dhe ndaj administratorëve është marrë masa administrative, në bazë të nenit 3, pika 7 e Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të respektojnë masat kufizuese, për të bërë të mundur parandalimin e përhapjes së COVID-19.