Zëvendës ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli u shpreh se ka dyshime të forta se varianti Delta është i pranishëm në Shqipëri, por ende nuk është konfirmuar asnjë rast.
“Ka dyshime të forta që virusi Delta është i pranishëm në Shqipëri. Ne po presim një konfirmim nga laboratorët e referencës që kemi në Gjermani. Përsa i përket mbrojtjes së variantit Delta të vaksinave duhet të presim edhe pak duke qenë se është një variant i ri, pro studimet laboratorike tregojnë që janë efikase”, tha Rakacolli.
Rakacolli tha se nuk mund ta dallojmë nëse jemi të infektuar me variantin Delta pa shkuar te mjeku, sepse shenjat janë pothuajse njësoj edhe me variantet e tjera të virusit.
“Dyshimet ngrihen jo thjesht nga shenjat, sepse shenjat janë pak a shumë njësoj, pra mbizotëron shenja e infeksionit të rrugëve të sipërme respiratore. Ka pasur çrregullime post vaksinimit, por ne jemi shumë vigjilentë për këtë punë. Ne kemi të ngritur Komitetin për vlerësimin e efekteve anësore të vaksinave qëkur filloi fushata e vaksinimit. Efekte anësore ka pasur, por jo efekte të rënda si raste e trumbozës apo paralizës”, tha Rakacolli për Ora News.
