Në Asamblenë e PS në Dibër, kryeministri Edi Rama ka folur lidhur me vendimin e Gjykatës së Strasburgut për vrasjet e 21 janarit.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë tha se drejtësia nuk harron, ndërsa shtoi se vrasjet janë shtetërore dhe se nuk do kalohen pa u ndëshkuar.
“Ju e patë dje e ndoqët e dëgjuat që Gjykata e të drejtave të njeriut në Strasburg… Vendimet e saj janë udhërrëfyes për Europën për shtetin e së drejtës në Europë dhe janë detyrues për çdo vend europian. Dhe gjykata e të drejtave të njeriut dje nxori vendimin duke e rrëzuar të gjithë procesin farsë që është zhvilluar në Shqipëri për 21 janarin dhe duke e nënvizuar atë që është më elementarja në trajtimin e asaj ngjarje dhe që do të ishte trajtuar pa diskutim ashtu siç e nënvizon gjykata e të drejtave të njeriut nga çdo vend demokratik Europian.
Do ishte gjykuar zinxhiri i komandimit. Aty nuk është fjala se cili nga plumbat që dolën nga foletë e armëve vrau dhe cili nuk vrau. Aty janë qëlluar pafundësi plumbash ndaj protestuesish që nuk paraqesin asnjë rrezik për askënd. Prandaj çështja është si ka mundësi që pushkët e shtetit vranë qytetarë të këtij shteti. Dhe si ka mundësi që pasi u vranë qytetarët e këtij shteti me pushkët e shtetit si pasojë e hapjes së një zjarri të komanduar nga maja e zinxhirit, ky vend nuk pa asnjë vend drejtësie të drejtë, por vetëm një rivrasje të dytë, një poshtërim të familjeve që humbën njerëzit e tyre. Ky vendim i Gjykatës së të drejtave të njeriut është mishërimi më konkret, më i freskët i shprehjes se ‘drejtësia mund të vonojë, por nuk harron’.
21 janari është nga ato krime për të cilat mund të ndodhë se vonesa e drejtësisë të jetë më e gjatë sesa drejtësia më e vonuar. Është nga ato krime që kurrën e kurrës nuk mbeten pa u ndëshkuar, në cilindo moment sado vonë nuk është e mundur sepse është një krim shtetëror. Është krim me urdhër të drejpërdrejt qeverie i paligjshëm. Dhe ky vendim është një tjetër kulm në një rrugë të re që sapo është hapur për drejtësinë në Shqipëri.”
