Pas mbrëmjes magjike të së mërkurës ku Tirana priti finalen e madhe të Conference League, kryeministri Edi Rama ka bërë sot një postim në rrjete sociale ku ka shprehur falenderime për të gjithë ata që kanë kontribuar që çdo detaj në këtë event të shkonte mirë.
“Mirëmëngjes dhe me falenderimin e përzemërt për të gjithë ata që i dhanë jetë eurombrëmjes së djeshme të Shqipërisë, si edhe me krenarinë për përshtypjet fantastike që Shqipëria la në sytë e mbarë Europës, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Po ashtu, një reagim erdhi edhe nga ministri i Brendshëm, Blendi Çuçi i cili shkruan se Shqipëria demonstroi që i ka të gjitha kapacitetet për menaxhuar një event të përmasave të tillë.
“Historia u shkrua në Tiranë. Finalja e madhe shkoi më së miri dhe Shqipëria demonstroi në sytë e mbarë botës që i ka të gjitha kapacitetet për të mirëpritur e menaxhuar një event të përmasave të tilla. Një falënderim të veçantë kam për punonjësit e Policisë së Shtetit, që falë profesionalizmit dhe përkushtimit të tyre të jashtëzakonshëm garantuan mbarëvajtjen e gjithçkaje: nga mbërritja e mijëra tifozëve në pikat kufitare, shoqërimi i tyre drejt stadiumit, grumbullimet në zonat e dedikuara dhe deri te përcjellja për t’u rikthyer sërish në vendet e tyre. Çfarë ndodhi dje ishte një ushtrim kuptimplotë i angazhimit tuaj të përbashkët si asnjëherë më parë për të cilin keni mirënjohjen e pakufishme të të gjithëve”, shkruan ministri.
Thekosjmë se situata në rrugët e Tiranës ka qenë e qetë dhe nuk janë shkaktuar probleme. Tifozët e Romës kanë vijuar të festojnë edhe jashtë stadiumit ndërsa ata të Feyenoord janë shpërndarë të zhgënjyer. Shpërndarja e tifozëve është bërë e monitoruar rreptësisht nga forcat e policisë. Nuk janë shënuar incidente pas ndeshjes ndryshe nga mbrëmja e së martës ku pati një sërë përplasjesh mes huliganëve dhe policisë.