Kryeministri Edi Rama ndodhej për një vizitë zyrtare në Egjipt ku firmosi tre memorandume bashkëpunimi në fushën e kulturës. Deputeti demokrat, Bledjon Nallbati thotë se kryeministri duhet të kishte firmosur marrëveshjen për produktet tona, për të cilat vendet e Lindjes së Mesme kanë interes të lartë dhe se një memorandum sorollatet prej vitesh në zyrat e qeverisë.
Sipas tij, vetëm në qarkun e Korçës është rreth 50 milionë euro prodhimi i mollës në një sezon, që sipas tij as 50% e tyre nuk përkthehen në të ardhura në familjet e fermerëve shqiptarë.
POSTIMI I DEPUTETIT TE PD
Në seancën e fundit plenare i kërkova kryeministrit firmosjen e një memorandumi me vendet e Lindjes së Mesme, kryesisht Egjiptin si vende që kanë interes të lartë për produktet tona. Memorandumi ekziston dhe sorollatet prej kaq vitesh nëpër zyrat e qeverisë.
Kryeministri i këtij vendi ndodhet prej dy ditësh në Egjipt ku memorandumet që ka firmosur nuk kanë lidhje me interesat e fermerëve dhe bujqve, prodhimet e të cilëve kalben e hidhen kanaleve, siç mund ta shihni dhe në këto foto të prodhimeve të këtij viti.
Kryeministri zgjodhi të firmosë tre memorandume që për nga rëndësia sigurisht që mund të presin, ndërsa prodhimet e shqiptarëve jo. Mos harroni z.kryeministër, rreth 50 milionë euro kap shifrën vetëm prodhimi i mollës në një sezon në qarkun e Korçës, nga të cilat as 50% e tyre nuk përkthehen në të ardhura në familjet e fermerëve shqiptarë. Bëhuni seriozë dhe lëreni propagandën mënjanë. Ato marrëveshje me demek kulture që keni firmosur ju nuk i hyjnë në punë as dreqit!
