Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur nga Vlora në turin e nisur për “Bashkinë që Duam” opozitës e cila proteston në Tiranë.
“Kush është ndryshimi mes nesh që jemi këtu dhe atyre në Tiranë është ndryshimi mes Vlorës sot dhe Vlorës dje. Vlora që kishim dje ishte vendi i errësirës, ku të gjithë vinin për të ikur, ku të gjithë kalonin për të mos ndaluar. Sepse ata që janë sot mbledhur për të përsëritur e përsëritur e përsëritur të njëjtin avaz, e kishin braktisur Vlorën njëherë e përgjithmonë. Po sot Vlora e Shqipëria kanë zot, sot Vlora dhe Shqipëria kanë shumë për të bërë akoma por kanë sigurinë se janë në rrugën e duhur”, tha Rama.
Fjalimi i Ramës është pritur me ovacione e duartrokitje nga të pranishmit. Ai tha se Vlora që dëshiron është ajo që aeroportin nuk e ka zotim, por një të vërtetë, ku porti nuk është fantazmë e të shkuarës por pikë ankorimi e aktivitetit turistik që vjen nga deti.
