Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministri për Rindërtim Arben Ahmetaj ka inspektuar sot lagjen e re që po ndërtohet në Fushë -Krujë, e cila u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar.
Kreu i qeverisë i cilësoi si “perfekte” këto punime. Megjithatë, kryeministri Edi Rama ka pasur një porosi, që kapakët e kabinave të vogla elektrike të jenë me ngjyra dhe jo gri siç e parashikon projekti.
“Bëjini me disa ngjyra, jo shumë por që të ketë një lloj kombinimi dhe i jep një atmosfere tjetër”, ishte porosia e kryeministrit Edi Rama.
Një koment e ka pasur edhe për opozitën që vijon sulmet e saj sa i përket rindërtimit.
“Qentë le të lehin karvani do të ecë më shpejt përpara”, shkruan Rama.
Lagja e quajtur “Rilindja” shtrihet në 10 hektarë tokë dhe në pak javë nisin themelet për 15 pallate banimi me 100 apartamente, të cilave do t’u bashkëngjiten qendra shëndetësore, zyrat e shërbimeve, zonat e gjelbërta dhe një treg modern për produktet e zonës. Për kreun e qeverisë, kjo lagje e re do të ndryshojë rrënjësisht jetën e banorëve.
“Do të ndryshojnë rrënjësisht cilësinë e jetës së fëmijëve, prindërve, gjyshërve, që së shpejti do të banojnë në këtë zonë, në kushte pakrahasimisht më të mira se ato që kishin deri një vit më parë”, përfundon Rama.
