Ndryshe nga çdo palë zgjedhje të tjera, kryeministri Edi Rama kërkon mandatin e katërt me premtimin për ta integruar vendin në Bashkimin Europian. I ftuar në Report Tv, Rama thotë se për herë të parë yjet e fatit janë bashkuar me BE, e cila na ka hapur dyert me mundësinë që negociatat të mbyllen deri në vitin 2027.
Por, për të arritur këtë premtim që e ka shoqëruar përgjatë një muaji fushatë zgjedhore, kryesocialisti kërkon një mandat edhe më të fortë se ai i 2021 me 74 mandate.
“Yjet janë bashkuar sepse ata tani kanë hapur derën. Gjeopolitika e tyre kërkon të hapet dera. Por ata s’të marrin brenda po s’bëre punët. Prandaj na duhet një mandat i fortë që të mbyllim negociatat brenda 2027. Vetëm ne e çojmë në BE. Nuk është çështja çfarë pranojnë ata, çështja është se kapacitet qeverisëse që kemi ne, nuk i ka askush tjetër në Shqipëri”, tha Rama.
Për kryetarin e PS, integrimi nuk është as iluzion e as një truk magjik, por një mundësi historike, për të cilën thotë se për herë të parë BE na hapi dyert. Ai nuk kërkon asgjë “falas”, por thotë se kriteret janë plotësuar dhe shigjeton edhe opozitën për të cilën thotë se mendoni nëse Shqipëria do të përfaqësohej në forumet ndërkombëtare me bufin e kënetës.
“Ata janë një shtëpi të pasurish, dhe shtëpitë e pasurve nuk e mbajnë derën hapur. E kanë derën mbyllur. Ti mund t’i biesh derës sa të duash, e hapin vetëm kur ata që janë brenda kanë interes të të hapin derën. Kriteret i kemi plotësuar disa herë që dera të hapej për negociatat”, tha Rama.
Mandatin e katërt e kërkon më të fortë, por u rezervua të japë shifra, ndërsa për Partinë Demokratike projeksionin e ka të qartë, për të cilën thotë se nuk mund të marrë më kurrë rezultatin e 2021-shit.
“2021 ka pasur tjetër atmosferë, tjetër tension. Ata ishin të bindur që do të fitonin, të bindur se që ne do të humbisnim. Ishin më të organizuar sesa janë sot. Edhe rezultatin e 2021 nuk e arrijnë më.”, u shpreh Rama.
