Në qendër të fjalës së kryeministrit Edi Rama në Forumin e Dytë të Inovacionit ishte ambicia për ta kthyer teknologjinë në një nga sektorët kryesorë të eksporteve shqiptare, duke deklaruar se objektivi është që brenda dekadës eksportet e teknologjisë të arrijnë në 1 miliard euro.
Rama tha se sektori ndodhet në një “dinamikë të jashtëzakonshme”, duke theksuar se aktualisht eksportohen rreth 222 milionë euro produkte teknologjike, tre herë më shumë se disa vite më parë.
“Duhet të shkojmë në 1 miliard euro brenda dekadës. Është e mundshme dhe për këtë arsye do të fuqizojmë mbështetjen për startup-et”, deklaroi ai, duke nënvizuar edhe dyfishimin e fondit për startup-et dhe rritjen e ndjeshme të aplikimeve.
Por, krahas rritjes së sektorit, Rama veçoi edhe një nga sfidat kryesore: përdorimin ende të kufizuar të Inteligjencës Artificiale nga bizneset shqiptare.
Sipas tij, vetëm 9% e sipërmarrjeve përdorin aktualisht AI, pavarësisht se mbi 90% e qytetarëve kanë akses online.
“Është shifër shqetësuese”, u shpreh kryeministri, duke bërë thirrje për më shumë inovacion dhe përdorim të teknologjive të reja në sektorë si turizmi, shëndetësia, financa dhe administrata publike.
Në këtë drejtim, Rama tha se qeveria synon të zgjerojë përdorimin e Inteligjencës Artificiale edhe në sistemin e prokurimit publik, ndërsa vuri në dukje potencialin e platformës e-Albania. Sipas tij, platforma ka rreth 3.4 milionë subjekte të regjistruara dhe numri i aplikimeve është rritur me rreth 40% gjatë dy viteve të fundit.
Rama u ndal edhe te kapitali njerëzor, duke theksuar se rreth 9 mijë studentë po studiojnë në fushën e teknologjisë. Ai veçoi veçanërisht pjesëmarrjen e vajzave, duke thënë se Shqipëria ka një nga nivelet më të larta në Europë për numrin e tyre në këto degë.
