Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “për Shkodrën, Lezhën dhe gjithë veriun, nisja e punës për aksin Milot-Balldren është një hap shumë i rëndësishëm për zhvillimin e zonës”.
“Ky projekt do të lehtësojë lëvizjen, do të rrisë sigurinë rrugore dhe do t’i japë një shtysë të re turizmit, biznesit dhe ekonomisë në Shkodër, Lezhë dhe gjithë veriun e vendit”, tha Rama në një postim në rrjetet sociale.
Kompania “Salillari” është shpallur fituese e procedurës për ndërtimin e aksit rrugor Milot-Balldren, një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në veri të vendit dhe pjesë e Korridorit Adriatiko-Jonian.
Aksi Milot-Balldren konsiderohet një segment strategjik i rrjetit kombëtar rrugor dhe lidhet drejtpërdrejt me investimet e tjera që qeveria po zbaton në veri të Shqipërisë për përmirësimin e infrastrukturës dhe zhvillimin ekonomik të rajonit.
Gjurma e propozuar e rrugës Milot-Balldren ka një gjatësi prej 17 km dhe fillon në nyjën e Milotit, ku do të lidhet me segmentin Milot-Thumanë-Kashar-Lekaj dhe me Rrugën e Kombit, dhe do të përfundojë në rrugën ekzistuese Tiranë-Shkodër, në Balldren.
