Kryeministri i vendit, Edi Rama, në rrjetin social “Facebook” ndau pamje nga Parku Kombëtar i Malit të Dajtit. Ai e përshkruan Malin e Dajtit si “një mozaik i natyrës që i rri mbi krye Tiranës duke ofruar mundësi për aktivitete të llojllojshme dhe peizazhe të jashtëzakonshme”.
Mali i Dajtit me peizazhet pyjore të ahut, dushkut, gështenjave, qershive, frashërit, pishave të zeza, të fton të shkëputesh tërësisht nga jeta urbane e Tiranës për t’u bërë pjesë me natyrën.
Me rreth 26 lloje drurësh dhe shkurresh pyjore, të cilat mbulojnë rreth 80 % të territorit, bimësh e barishtore, kafshët dhe shpendët e egra, dy majat dominuese, “ballkonet”, që qëndrojnë mbi shkëmbinjtë e pjerrët, kjo zonë është kthyer në një atraksion për turistët e huaj, që pëlqejnë natyrën dhe aventurën./tirananews.al
