Kryeministri Edi Rama është shprehur i zhgënjyer për drejtorët dhe nëndrejtorët e shkollave në vendin tonë, për të cilët tha se nuk janë në të njëtin nivel me ata të shteteve të tjera të rajonit të Ballkanit e të Europës. Në fjalën e tij përballë mësuesve, 20 prej të cilëve u shpërndau edhe certifikata mirënjohjeje për punën e bërë në “RTSH shkollë”, kanal ky që ju dedikua nxënësve dhe mundësoi përballimin e një procesi mësimor gjatë periudhës së pandemisë.
Vetë Rama tha se për certifikatat janë përzgjedhur 20 persona nga Ministria e Arsimit, por kur tu shpërndahet shpërblimi fiannciar nga Ministria e Financave nuk do të ketë ndasi, pasi do të bëhet për të gjithë.
“I ka përzgjedhur Ministria ta dini. Por kur t’ju japim lekët, se ministria nuk ka lekë, i ka ajo e financave, ta dini që nuk do të ketë ndasi. Respekt i çmuar për mësuesit që dhanë mësim në kohë pandemie, sfiduan çdo vështirësi. U jam falënderues dhe gjithë shoqëria po ashtu falënderon ata mësues, që kanë punuar ditë e natë dhe janë vënë në dispozicion të nxënësve. Kjo ishte punë që iu shërbeu edhe shumë mësuesve dhe mësueseve. Sot që po dalim nga tuneli i pandemisë dhe puna është bërë me kaq shumë ritëm e efikasitet. Ne jemi përballur prej vitesh me fenomenin shqetësues të shkollave kolektive. Mësimi online nuk e zëvendëson dot mësimin e drejtpërdrejtë. Por, patjetër që mësimi online është lojë e shtuar,”- tha Rama.
Por, pjesa ku u ndal më shumë kreu i qeverisë ishte tek emërimi i drejtorëve dhe nëndrejtorëve të shkollave. Rama ia ngarkoi si përgjegjësi Ministrisë së Arsimit që paralelisht me procesin e edukimit në vazhdim të drejtorëve përmes shkollave të drejtorëve të bëjnë detyrën e tyre që të mos lejojnë që drejtorët e shkollave të jenë nomenklaturë e deputetëve dhe kryetarëve të bashkive.
Ai tha se portal për përzgjedhjen e mësuesve ka ardhur si një rrufe për pushtetin pasi tradita sipas tij, ishte që të ndaheshin vendet e punës mes atyre që merrnin pushtetin.
“Ngado të rrotullohemi kemi nevojë ta çojmë në tjetër nivel menaxhimin e shkollave. Po të krahasojmë nivelin e mësuesve mesatar me nivelin mesatar të drejtorëve të shkollave proporcioni është shumë i zhdrejtë. Kemi mësues dhe mësuese që pa asnjë gajle mund ti vendosim në të njëjtin nivel me mësues në vendet e Rajonit dhe Evropës dhe kujt thotë jo unë i them të shikojë progresin e nxënësve shqiptarë. Nëse kjo nuk mjafton të shikojë se nxënësit e mirë që dalin nga duart tuaja dhe shkojnë jashtë shtetit nuk janë aspak më pak të armatosur me dije sesa bashkëmoshatarët e tyre. Nxënësit që dalin nga gjimnazet tona qëndrojnë në kategoritë më larta të vlerësimit, janë nxënësit tuaj.
Nëse ne krahasojmë me të njëjtën masë drejtuesit e shkollave tona me drejtuesit e shkollave europiane atëherë nuk jemi në të njëjtin nivel, në këtë drejtim kemi filluar një përpjekje, që është shkolla e drejtorëve. Na duhet që të njëjtën gjë që bëjmë me mësuesit të bëjmë edhe me drejtorët. Nëse mësuesit sot zgjidhen në bazë të meritës, drejtorët jo! Nëndrejtorët jo e jo, se i njihni vetë. Është përgjegjësi e Ministres që paralelisht me procesin e edukimit në vazhdim të drejtorëve përmes shkollave të drejtorëve të bëjnë detyrën e tyre që të mos lejojnë që drejtorët e shkollave të jenë nomenklaturë e deputetëve dhe kryetarëve të bashkive. Portali ishe një rrufe mbi kokën e të gjithëve, tradita dihej, kush merr pushtetin ndahen edhe vendet e punës për mësuesit. Debati ishte me disa deputetë që ishin më të zëshëm që kjo na zhvesh ne nga autoriteti dhe përgjigjja ime ishte ata mësues që juve i fusni nëpër shkolla për arsyet tuaja do t’ja jepnit fëmijëve tuaj? Kurrën e kurrës! Atëherë kjo nuk diskutohet, kështu ne kemi shpëtuar arsimin nga mësuesit që vijnë pa lidhje,”- tha Rama.
