Kryeministri Edi Rama ka vijuar edhe këtë të hënë turin e tij të falenderimeve ndaj qytetarëve që votëbesuan alternativën e Partisë Socialiste në zgjedhjet e 14 majit.
Kryesocialisti u ndal në Korçë ku krahas mirënjohjes ndaj qytetarëve dha edhe porositë e tij për ekipin e PS që do të drejtojë këtë zonë në 4 vitet e ardhshme.
Ai theksoi se njerzillëku ndaj qytetarit duhet të jetë prioritet dhe çdo personi që shfaqet në administratë i duhet dëgjuar problemi. “I jashtëzakonshëm ishte rezultati në të gjithë Shqipërinë, për këtë arsye edhe unë jam këtu. Po shkoj në të gjitha qarqet sepse besoj shumë që fjalët nuk mjaftojnë, as kjo nuk mjafton, por sëpaku duhet që t’ju shikoj të gjithëve në sy dhe t’u them shumë faleminderit dhe shumë mirënjohje sepse padiskutim që të gjithë kanë meritat e tyre, por askush, nga kudo që shikoni nuk ngjitet dot në tribunë nëse nuk jeni ju”, tha Rama.
Në fitoren në qarkun e Korçës, Rama veçon atë në bashkinë e Devollit.
“Fitorja në Devoll ishte qershia mbi tortë.
Njerëzit janë të pakënaqur me ne, kjo është e vërteta. Kanë pritshmëri të larta ndaj nesh dhe besojnë se vetëm ne mund ti bëjmë ato gjërat për të cilat kanë nevojë. Kjo është e jashtëzakonshme si sfidë se na kanë hedhur një dorashkë, duke thënë urdhëro merreni dhe tani na çoni vetën përpara, do ishte fatale për ne nëse do biem në vetëkënaqësi dhe do mendojmë se jemi të pazëvendësueshëm. S’ka lidhje kjo votë me të gjitha këto. Kjo votë ka lidhje se njerëzit duan të mendojnë dhe duan nga ne që të mendojmë gjithmonë e më shumë për ata si qytetarë dhe jo ata të mendojnë si tifozë partish dhe ne t’i ndajmë në të tanët, majtas, djathtas.
Dua të falënderoj ata që s’kanë dal në votim, ua kemi kërkuar këtë gjë. Duke bërë ata që kanë bërë ata meritojnë respekt sepse janë sjellë si patriotë duke braktisur hijet e së shkuarës që u shfaqën vetëm për të na kthyer mbrapa. Në kushtet e kësaj pritshmërie të madhe, çfarë bëhet?!. Si kthehet ky borxh.
Ka një gjë që mund të përmbushet 100%, është vetëm në dorën tonë këtu. Kjo është njerzillëku me të gjithë anëtarët e një komuniteti, me çdo qytetar të këtij vendi, me çdo familje që ka nevojë për këtë shtet, njerzillëku me çdo sipërmarrje, çdo grup interesi, që është dhe duhet të jetë për mua pika e parë e programit qeverisës të çdo kryetari bashkie të dalë nga vota e 14 majit. Në këtë pikë kemi defiçite kudo, në nivelin qendror, vendor. Këtu ua kërkoj me forcë të gjithëve. Që ta kuptojnë dhe ta vënë në jetë. Të krijojnë mekanizma që të gjithë njerëzit të ndihen të dëgjuar, të respektuar. Pastaj zgjidhet apo jo një hall apo problem tjetër kjo varet nga mundësitë. Pavarësisht nëse nuk ma zgjidh hallin, të paktën ma qaj thotë populli ynë,” tha ai.