Kryeministri Edi Rama, deklaroi sot se Operatori i Blerjeve të Përqendruara (OBP) ka mundësuar një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën e zhvillimit të prokurimeve publike, duke larguar këtë proces nga ministritë.
Në konferencën për medie së bashku me negociatoren për Kapitullin 5 “Prokurimi Publik”, njëkohësisht drejtoreshë e përgjithshme e Agjencisë së Prokurimit Publik, Reida Kashta, teksa prezantoi zhvillimet kryesore në fushën e prokurimit publik, Kryeministri u ndal te kursimet e krijuara dhe roli i Operatorit të Blerjeve të Përqendruara (OBP) në reformimin e sistemit të tenderimeve.
“OBP ka një rol të posaçëm që na ka dhënë mundësinë të bëjmë një tjetër kapërcim të madh, që të mos bëjmë më tendera në ministri. Pra ministritë dhe ministrat nuk kanë më asnjë lidhje me tenderat dhe një pjesë e madhe e tenderave po spostohen nga ministritë dhe nga agjencitë kryesore. Por edhe nga pushteti vendor, sipas zgjedhjes së tyre. Është një pushtet që ka autonominë e vet, nuk i imponojmë si bëhen tenderat, por ka filluar një proces dialogu me OBP”, deklaroi Rama.
Kështu, vijoi Rama, krijohet një strukturë super e specializuar për të realizuar procese që janë më të komplikuara sesa duken për ata që komentojnë pa ditur se çfarë flasin.
Sipas tij, kjo reformë synon forcimin e transparencës, rritjen e eficiencës dhe krijimin e një sistemi më të specializuar të prokurimeve publike në vend.
