Kryeministri Edi Rama ka hedhur poshtë pretendimet se “Pasqyrë Albania” është një tjetër përpjekje për të mbuluar dështimin e platformës së bashkëqeverisjes.
Në fjalën e tij gjatë mbledhjes me ministrat dhe grupin parlamentar, Rama tha se platforma e bashkëqeverisjes do të jetë pjesë e sistemit të ri, ndërsa “Pasqyra” synon të bëjë atë që platforma nuk ka mundur deri më tani.
“Në hamendësimet e bëra thuhet që Pasqyra është një tjetër hap që vjen nga përpjekja për të mbuluar dështimin nga platforma e bashkëqeverisjes. Kjo është e pavërtetë, sepse platforma e bashkëqeverisjes do të jetë pjesë. Atë çfarë nuk ka bërë dot platforma, do ta bëjë Pasqyra. Është në një proces transformimi për shkak se nuk e kemi pasur instrumentin e jashtëzakonshëm që kemi sot, AI. E-Albania do të jetë pjesë përbërëse e Pasqyrës, dhe dosja personale, dokumentet individuale, komunikimi vetjak për çështje shërbimesh apo për çështje hallesh të një qytetari, mbeten të mbrojtura dhe vazhdojnë të kryhen përmes e-Albania, ose në kanalin përkatës.
Risia është që halli individual nuk mbetet i vetëm në mjegullën e padepërtueshme të xhunglës digjitale. Pasqyrë Albania informon çdo qytetar sa zgjat përgjigjja që ai duhet të presë, mban në kontakt çdo qytetar që do të jetë në kontakt të vazhdueshëm për çdo ndryshim që bëhet në korpusin legjislativ dhe rregullator dhe Pasqyrë Albania do të fitojë një kapacitet të ri. Çdo qytetar që do të dojë të informohet nga celulari se çfarë ndodh në fushën e tij të jetës, e merr në WhatsApp-in e tij në kohë reale. “Sot ka hyrë në fuqi ky vendim, ky ligj”.”, u shpreh Rama.
