Kryeministri Edi Rama prezantoi paraditen e së shtunës ministren e re të Shëndetësisë, Evis Sala.
Në ambientet e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, kryeministri tha se zonja Sala “ka spikatur si akademike, mjeke dhe drejtuese në disa prej universiteteve dhe qendrave më të njohura spitalore të botës”.
“Ka publikuar mbi 300 artikuj shkencorë, mbajtur mbi 500 ligjërata, ndërkohë që bën pjesë në bordet e disa shoqatave të mirënjohura evropiane. Po ashtu, ministrja jonë e re e Shëndetësisë është personalitet i vlerësuar me çmime prestigjioze ndërkombëtare. Ajo sjell edhe shembullin rrezatues të shqiptarëve të suksesshëm të botës”, u shpreh kreu i qeverisë gjatë prezantimit.
Më tej, Rama theksoi se pasi “në mandatin e parë mbyllëm gropa të thella, në dy mandatet e tjera bëmë investime të qenësishme” në shëndetësi.
“Në mandatin e tretë rritëm pagat e mjekëve dhe infermierëve. Në mandatin e katërt duam të shkojmë më tej dhe të hyjmë më thellë në përmbajtjen e transformimit sa i përket asaj që shëndetësia duhet t’u ofrojë qytetarëve, përtej infrastrukturës së transformuar dhe asaj që i detyrohemi mjekëve dhe infermierëve”, theksoi Edi Rama.
Evis Sala, ministrja e re e Shëndetësisë, në prezantimin e saj në ambientet e QSUT, tregoi se kush janë sfidat e detyrës që ka pranuar. Sipas saj, emergjente është zgjidhja e problemit të rimbursimit të barnave onkologjike.
“Për mua sot është një ditë shumë emocionuese. Në planin personal rikthehem në një vend ku kam studiuar. Megjithëse tani nuk e njoh më, mund të kisha humbur këtu, pasi ndryshimet janë thelbësore. Është më mirë nga ana strukturore sesa në spitalet ku kam punuar. Është një sfidë e madhe, por ata që më njohin e dinë që kam dëshirë për të përballuar sfida. Megjithatë, sfidat i kam përballuar gjithmonë me skuadër, se suksesi i njeriut varet nga suksesi i skuadrës që krijon. Duhen bërë shumë ndryshime. Duhet njohur ajo punë që është bërë. Nëqoftëse çalon menaxhimi, atëherë performanca e shërbimit çalon”, tha fillimisht Evis Sala.
“Mendoj që është e rëndësishme zgjidhja sa më parë e rimbursimit të barnave onkologjike. E palejueshme për ne që barnat onkologjike nuk janë plotësisht të rimbursueshme. Kjo është një sfidë e imja dhe është e diçka që bëhet”, theksoi ministrja e Shëndetësisë.
“Shumë kyç është riorganizimi i shërbimit parësor dhe diagnostikues, do shpëtojë shumë jetë dhe do ulë fluksin në spitale. Nuk mundet që çdo spital të jetë i mbingarkuar. Diagnostika e përparuar shumë është një fushë që unë e njoh mirë, me inteligjencë artificiale mund të bëjmë një hap shumë të madh e të arrijmë atje. Shqiptarët janë shumë kreativë. Prandaj, nuk ka pse mos përdorim burimet tona që i kemi. Inteligjenca artificiale do që të dhënat të jenë të dixhitalizuar përpara. Në spitale do organizojmë sa më shpejt ekipet për disa procedura që duhen kryer patjetër në spitale. Do mbyllim rrjedhjen e mjekëve të rinj. Mjeku i mirë shqiptar duhet të vlerësohet edhe këtu si në vendet e tjera. Asgjë nuk bëhet vetëm, prandaj këtij oqeani të madh që i jam futur, do t’i futemi të gjithë bashkë. Është shumë e vështirë, por nuk është aq e vështirë nëse bashkohemi të gjithë, asnjë gjë nuk është e pamundur”, tha ministrja Sala.
