Kryeministri Edi Rama ka postuar videomesazhin e promovimit të festivalit “Mokra n’Fest’ që fton qytetarët më 16 gusht që të bëhen pjesë e aktiviteteve e të shijojnë një ditë ndryshe. Mokra po bëhet gati të presë edicionin e gjashtë të festivalit “Mokra n’Fest”, një festë që prej vitesh mbledh bashkë mokrarët nga e gjithë Shqipëria dhe më gjerë, duke kthyer këtë zonë të bukur malore në një qendër të traditës, kulturës dhe mikpritjes.
”Nga veriu në jug, muaji gusht është një kolazh festash në çdo qytet! Edhe këtë vit, më 16 gusht, rikthehet “Mokra n’Fest” në Pogradec, më shumë se një festë, një përjetim i rrënjëve me muzikë, gatime tradicionale, kanoe, kamping, aktivitete në natyrë, bashkë me koloni piktorësh dhe argëtim për të gjithë”, shkruan Rama në rrjetin social Facebook.
Festa do të nisë nga orën 14:00 deri në mbrëmje vonë tek ura monument kulture në Golik. Gjatë festës do të zhvillohen aktivitete kulturore si koncerte e muzikë live dhe panair me gatime tradicionale. Në skenën kryesore do të performojnë këngëtarët Mariola e Jurgen Kaçani, vëllezërit Lushka, Avni Lushka dhe Luli Qose, Vëllezërit Kapa, Ansambli “Mokra”, Julian Elezi, Juli Tollozhina etj, si dhe këngëtarë të tjerë lokalë, që do të sjellin muzikën dhe shpirtin e kësaj treve të lashtë ilire.
