Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas publikimit të raportit të monitorimit të Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) për muajin qershor 2026, i cili tregon se opozita ka pasur më shumë hapësirë mediatike se Partia Socialiste në edicionet kryesore informative.
Përmes një postimi në Facebook, Rama e cilësoi raportin si një provë që, sipas tij, rrëzon pretendimet se Shqipëria funksionon si një regjim apo autokraci. Ai tha se vendosi t’i publikojë shifrat për të treguar, sipas tij, realitetin përballë perceptimeve të krijuara në debatet politike.
“Këto dy pasqyra, të cilat vijojnë të tregojnë me fakte kokëforta të bazuara në matje, jo në perceptime, se Shqipëria nuk ka asnjë lidhje me autokracitë apo me kinse regjimet, ku sorrat dhe korbat politike e mediatike e fusin përditë e përnatë me krrakrratë e tyre, vendosa t’i postoj vetëm si pasqyra të mjerimit intelektual të dështakzemërakëve, të cilët i kërkojnë papushim kudo, e sidomos te unë, arsyet pse ‘regjimi’ nuk përmbyset, përveçse aty ku arsyeja është: te mjerimi i tyre që sheh regjim se s’di këndim të Shqipërisë”, shkruan Rama.
Sipas raportit të AMA-së, gjatë muajit qershor 2026 partitë politike patën në dispozicion 402.47 minuta mbulim në edicionet kryesore të lajmeve. Nga kjo kohë transmetimi, Partia Socialiste zuri 36.05%, ndërsa opozita në tërësi përfitoi 63.95% të hapësirës mediatike.
