Kryeministri Edi Rama sfidoi publikisht dy kryetarët e partive të mëdha të opozitës për vettingun e pasurisë së politikanëve, duke theksuar se është i gatshëm për ta votuar nismën.
I ftuar në Opinion, Rama tha se megjithëse është kundër vettingut të politikanëve pasi pret që këtë punë ta bëjë SPAK-u, ishte i gatshëm ta bënte këtë.
“Kam qenë dhe jam kundër vettingut të politikanëve sepse atë e bën SPAK-u dhe populli me votë. Unë jam i gatshëm që Lulzim Basha dhe me familjarët e tij, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi janë gati t’i nënshtrohen vettingut të pasurisë përpara një trupe që të respektojë normat një e nga një të prokurorëve dhe nëse thonë se jeni të papërshtatshëm për të vazhduar jetën politike, unë jam i pari të largohem. Kush përsërit shumë një akuzë për tjetrin, i bën vet ato. Jam gati që të gjithë t’i nënshtrohemi vettingut të pasurisë”, tha kryeministri.
Ai u pyet nëse është i kënaqur për situatën aktuale. “Si mund të jem i kënaqur? Të bëj edhe opozitën?! Nëse ti (Fevziu) pranon të marrësh PD-në dhe Bejtja LSI-në, atëherë të siguroj se Shqipëria do të dukej një vend tjetër”, u shpreh ai.
