Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me të ashtuquajturin “skandali i nënshtetësive”, nga presidenti Ilir Meta.
Kryeministri thotë se ganezi Winful Cobbinah, që u pajis me pasaportë shqiptare nga Meta akuzohet në Shqipëri për falsifikim dokumentesh.
“Ilir Meta ka lidhje me Kushtetutën sa ç’ka lidhje me Topin e Artë ai futbollisti afrikan që mori pashaportën shqiptare për 8 orë nga Iliri, ndërkohë që ishte nën akuzë në Shqipëri për falsifikim dokumentash! Të dy bashkë po, e kanë një lidhje: I kanë bërë gol me kokë drejtësisë!”, shkruan Rama.
Më 28 shtator Presidentit Meta i mbërriti kërkesa nga ekipi i Tiranës për t’i dhënë ganezit pasaportën shqiptare në mënyrë që ai te merrte pjesë në ndeshjen me Yong Boys në Zvicër.
Po atë ditë Presidenti ka dhënë një dekret të vetëm për dhënien e nënshtetësisë ganezit. Ky vendim u bë për të anashkaluar rregullin e UEFA-s për të pasur 5 të huaj në ekip, ndërsa Kobinah nuk mund të hynte në lojë duke qenë futbollisti i gjashtë.
