Pas disa vitesh rritjeje relative, një analizë e re e përqindjes së fertilitetit në Gjermani tregon rënie shqetësuese të numrit të lindjeve vitet e fundit.
Në vitet 2011 deri në 2016, numri lindjeve në Gjermani ishte rritur nga 1.38 në 1.59 fëmijë për çdo grua. Zyra federale e statistikave thotë se kjo vinte si rezultat i krijimit të kushteve për familjet me fëmijë, ashtu si dhe “nga emigracioni”.
Por prej vitit 2022, përqindja e fertilitetit nisi të bjerë me 8 përqind në krahasim me një vit më herët, dhe më pas edhe 7 përqind të tjera 2023, në 1.35 fëmijë për çdo grua. Të dhënat për gjashtë muajt e parë të këtij viti tregojnë për një tendencë të njëjtë rënie edhe sivjet.
Në raportin e zyrtarëve federalë përmendet si shkak “koronavirusi”, “lufta në Ukrainë”, si dhe rënia e të ardhurave prej krizës së inflacionit, e cila ka dekurajuar familjet e reja të lindin fëmijë.
Studiuesi i institutit Ifo në Dresden, Joachim Ragnitz tha në një deklaratë: “Stili i jetesës me fëmijë ka ndryshuar vitet e fundit teksa aktualisht shifra qëndron në 1.35 fëmijë për çdo grua, nga 1.58 që ishte në 2021”.
Instituti tha se një tjetër statistikë e çuditshme ishte rënia e numrit të grave të reja në Gjermaninë lindore, që më parë kishte numrin më të madh të lindjeve.
Në total, vendi kishte 692,989 lindje në vitin 2023, me moshë mesatare të nënave 30.3 vjeç në lindjen e fëmijës së parë. Ndërsa në vitin 2022 përqindja e grave pa fëmijë llogaritej në 20.
Zyrtarët shtonin se është herët për të thënë nëse kjo tendencë është e përkohshme apo e përhershme, por qeveria duhet të jetë vigjilente ndaj zhvillimit.
“Politikanët duhet të këshillohen të monitorojnë nga afër këto zhvillime dhe të shmangin vendime të gabuara në lidhje me kujdesin ditor të fëmijëve apo shkollimin”, shtonte Ragnitz, sipas rrjetit Miamiherald.