Një raport i fundit për sigurinë në Shqipëri, i hartuar nga Këshilli Këshillimor për Sigurinë Jashtë Vendit (OSAC) në emër të Departamentit Amerikan të Shtetit, e rendit vendin tonë mes shteteve të ekspozuara ndaj kërcënimeve kibernetike nga aktorë si Irani dhe Rusia.
Në raport përmenden sulmet e fundit kibernetike ndaj institucioneve shtetërore dhe faqeve online në Shqipëri, duke nënvizuar rrezikun që paraqesin aktivitetet e grupeve të lidhura me këto vende.
Dokumenti i SHBA-së i referohet gjithashtu zhvillimeve të brendshme politike dhe protestave të muajve të fundit në Shqipëri. Sipas raportit, protestat e nisura në qershor kundër një projekti luksoz në Sazan, më pas janë zgjeruar duke marrë karakter kundër qeverisë, ndërsa disa episode kanë kaluar edhe në përplasje të dhunshme.
Megjithatë, raporti vlerëson se aktivitetet e grupeve anti-amerikane në Shqipëri janë të rralla dhe se komuniteti ndërkombëtar përgjithësisht është i mirëpritur në vend.
Sa i përket kërcënimit terrorist, dokumenti e vlerëson Tiranën në një nivel mesatar rreziku, duke theksuar se gjatë dekadës së fundit nuk është regjistruar asnjë sulm terrorist i suksesshëm në Shqipëri. Si rast i fundit përmendet komploti i vitit 2018, i atribuuar regjimit iranian ndaj grupit të muxhahedinëve në Shqipëri, i cili u parandalua nga autoritetet dhe çoi në arrestimin e personave të përfshirë.
Në fushën e kriminalitetit, SHBA e klasifikon gjithashtu Tiranën me nivel mesatar rreziku, por vlerëson bashkëpunimin mes institucioneve shqiptare dhe atyre amerikane në luftën kundër krimit të organizuar, forcimin e kapaciteteve të zbatimit të ligjit dhe përpjekjet për reduktimin e korrupsionit.
