Kreu i PD-së, Lulzim Basha duke komentuar raportin e FMN-së për situatën ekonomike në Shqipëri thotë se ky raport konfirmon atë që PD kërkon prej kohësh: Më shumë ndihmë financiare për familjet shqiptare.
“Fondi Monetar Ndërkombëtar publikoi një raport kritik mbi situatën ekonomike në Shqipëri. Raporti konfirmon atë që ne i kemi kërkuar qeverisë Rama për muaj me radhë: të japë më shumë ndihmë financiare familjeve shqiptare.
Raporti thekson: “Paketat e mbështetjes COVID-19 të Shqipërisë janë më të vogla se mesatarja e atyre në tregjet në zhvillim dhe Ballkanin Perëndimor”. Shqipëria është ndër vendet që ofrojnë ndihmën më të vogël ekonomike për qytetarët!
Qytetarët shqiptarë meritojnë më shumë. Shqipëria meriton një qeveri që kujdeset për njerëzit dhe jo për veten e vet.”, thotë Basha.