Rreth 4% e zyrtarëve aktualë në institucionet tona shtetërore figurojnë të kenë bashkëpunuar me ish-Sigurimin e Shtetit gjatë kohës së komunizmit. Kështu pohon të paktën raporti i fundit i publikuar nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.
“Nga shtetarët e verifikuar para emërimit apo ngritjes në detyrë, 4% rezultuan figura me probleme dhe 96% figura të pastra”, nënvizoi ai. Në shifra konkrete, raportohet se nga totali i 463 kandidatëve apo zyrtarëve të verifikuar, 17 prej tyre kanë figuruar në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit në cilësime të ndryshme, me detyrat respektive që nga procedues, anëtarë ose bashkëpunëtorë.
Në tërësi, për dy vitet e fundit, AIDSSH jep shifrën prej 30 individësh që janë gjetur me të dhëna se kanë bashkëpunuar me ish-Sigurimin e Shtetit.
“Nga verifikimet e kryera deri tani, ka rezultuar se figurojnë në dokumentacionin e ish-Sigurimit të Shtetit me të dhëna, gjithsej 30 persona. 13 prej tyre figurojnë në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit vetëm për vitin 2017, ndërsa pjesa tjetër u përket rekordeve të vitit 2018”, pohojnë gjithashtu ekspertët e AIDSSH-së. Ndërsa në total, thuhet se në këto dy vite kanë kaluar në “filtër” 1284 kandidatë apo zyrtarë, përpara emërimit apo ngritjes në detyrë, nga të cilët 1254 prej tyre kanë rezultuar pa probleme dhe 30 jo.
Nga ana tjetër, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit nënvizon edhe dukurinë se gjatë vitit të kaluar ka patur një shtim të kërkesave, deri në nivelin prej 50% për informim rreth personave të ndryshëm, nëse i kanë shërbyer ish-Sigurimit të Shtetit apo jo.
Pa harruar faktin se edhe reforma në drejtësi, me kriteret e saj të reja për përfshirjen tani e tutje të profesionistëve brenda saj ka gjetur persona të lidhur me ish-Sigurimin e Shtetit. “Në lidhje me zgjedhjen në organet e larta të drejtësisë janë verifikuar prej tij 294 kandidatë, nga të cilët për 5 individë ka rezultuar të figurojnë dhe të ketë dokumentacion pranë këtij institucioni, lidhur me bashkëpunimin e tyre të hershëm me ish-Sigurimin e Shtetit”, citojnë ekspertët, lidhur me këtë dukuri.
Institucionet ku janë zbuluar bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit
Ministria e Brendshme
Janë verifikuar 30 persona në kuadër të verifikimit të figurës përpara emërimeve ose të ngritjes në detyrë dhe ka dalë një person që figuron në dokumentacionin e ish-Sigurimit të Shtetit.
Akademia e Shkencave
Dy persona figurojnë në dokumentacionin e ish-Sigurimit të Shtetit.
Fakulteti Ekonomik, UT
Janë verifikuar 116 persona dhe dy figurojnë në dokumentacionin e ish-Sigurimit të Shtetit.
Ministria e Punëve të Jashtme
Nga 234 persona në kuadër të verifikimit të cilësive etike, morale dhe profesionale të figurës për shërbimin e jashtëm kanë figuruar shtatë persona në dokumentacionin e ish-Sigurimit të Shtetit.
Shërbimi i Brendshëm Informativ
Me kërkesë nga SHISH, kanë ardhur për verifikim gjithsej 45 persona, ku janë verifikuar 50%, pjesa tjetër janë në proces verifikimi. Nga verifikimi i deritanishëm, thuhet se tre persona figurojnë në dokumentacionin e ish-Sigurimit të Shtetit.
Ministria e Brendshme
Në dijeni të Ministrisë së Brendshme dhe kërkesë nga organet e pushtetit vendor, janë verifikuar 25 persona në kuadër të verifikimit të cilësive etike, morale dhe profesionale, sipas të cilave dy figurojnë në dokumentacionin e ish-Sigurimit të Shtetit.
Garda e Republikës
Me kërkesë nga Garda e Republikës, Ministria e Brendshme, janë verifikuar 7 persona në kuadër të verifikimit të figures dhe një figuron në dokumentacionin e ish-Sigurimit të Shtetit.
Avokati i Popullit
Kandidatët për komisioner pranë këtij institucioni janë verifikuar dhe një person ka rezultuar se figuron në dokumentacionin e ish-Sigurimit të Shtetit.
Këshilli Drejtues i RTSH
Me kërkesë nga Kuvendi, janë verifikuar kandidaturat për anëtar në Këshillin Drejtues të Radio Televizionit Publik Shqiptar dhe një person ka figuruar si bashkëpunëtor në dokumentacionin e ish-Sigurimit të Shtetit.
Zgjedhjet e fundit, 4 kandidatë për deputetë kishin lidhje me ish-Sigurimin
Nga 285 persona, të cilët u verifikuan në kuadër të zgjedhjeve të fundit parlamentare në vend, mbajtur në 25 qershor 2017, rezultoi se 4 persona figuronin në dokumentacionin e ish-Sigurimit të Shtetit. Kjo është një tjetër dukuri që konfirmohet nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në kuadrin e raportimit të tij vjetor në Kuvend. Me kërkesë të dy partive politike (Drejtësi, Integrim dhe Unitet; Aleanca Popullore për Drejtësi), janë verifikuar 285 persona”, sqarojnë ekspertët e tij. Duke shtuar se një proces i tillë ka qenë në kuadrin e verifikimit të figurës për kandidat për deputet në Kuvendin e Shqipërisë për zgjedhjet e 25 qershorit.
Edhe në organet e reja të drejtësisë, po gjenden persona “jo të pastër”
Edhe në organet e reja që po ngrihen në sistemin tonë të drejtësisë, po gjenden persona “jo të pastër”. Dukuria konfirmohet nga vetë ekspertët e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, sipas të cilëve, me kërkesë nga Avokatit të Popullit janë verifikuar kandidatët, për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. “Nga verifikimi, rezultoi se figurojnë në dokumentacionin e ish-Sigurimit të Shtetit, dy persona si subjekte proceduese ish-gjyqtar dhe ish-prokuror në procese penale politike, ndërsa një person figuron si bashkëpunëtor”, pohon raporti i institucionit në fjalë.
