Reporterët pa Kufij publikuan raportin për lirinë e shtypit në botë për vitin 2017 ku Shqipëria renditet në vendin e 76, duke shënuar një ngjitje me gjashte pikë krahasuar me vitin e kaluar.
Shqipëria lë pas Malin e zi, Kosovën (vendi 82 nga 90), Maqedoninë dhe Bullgarinë, por qëndron pas Serbisë, e cila renditet në vendin e 66-të, madje edhe pas Bosnjës, e cila gjendet e renditur në vendin e 65.
Nga vendet e Ballkanit në kategorinë më të ulët, në atë me situatë të vështirë në lirinë e shtypit, renditet Maqedonia, edhe pse është radhitur më mirë se vitin e kaluar. Maqedonia është në vendin e 111, ndërsa vjet ishte e 118-ta.
Në raportin e këtij viti të Indeksit të Lirisë së Shtypit në Botë në vitin 2017, janë pesë kategori: situatë e mirë, situatë e kënaqshme, probleme të dukshme, situatë e vështirë dhe situatë shumë serioze. Në kategorinë ‘situatë të mirë’ kryeson Norvegjia, e cila vjet ishte e treta, e pastaj radhiten Suedia, Finlanda, Danimarka, Holanda, Kosta Rika, Zvicra, Xhamajka, Belgjika dhe Islanda.
Këto janë shtetet që janë pozicionuar në 10 vendet e para të indeksit të këtij viti. Ndërkohë Rusia renditet në vendin e 148, ku ishte edhe vjet, dhe përfshihet në kategorinë me situatë të vështirë. Në këtë listë, e fundit në vendin e 180 ndodhet Koreja e Veriut, Eritrea 179-ta dhe Turkmenistani në vendin e 178. /TiranaNews/