Në Kosovë sot qytetarët votojnë për të zgjedhur kryetarët e 21 komunave, përfshirë edhe atë të kryeqytetit, Prishtinës.
Vendvotimet për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale hapen në ora 07:00 dhe do të mbyllen në ora 19:00. Të drejtë vote në këtë rund zgjedhjesh kanë 1,260,571 qytetarë dhe ata do të mund të votojnë në 575 qendra votimi me 1,638 vendvotime.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar përmes postës 1,571 pako të supozuara me fletëvotime nga votuesit që jetojnë jashtë Kosovës.
Përveç Prishtinës, qytetarët do të zgjedhin krerët e rinj të Komunës së Gjakovës, Gllogocit, Gjilanit, Dragashit, Istogut, Kaçanikut, Klinës, Fushë Kosovës, Kamenicës, Obiliqit, Rahovecit, Podujevës, Prizrenit, Shtimes, Vitisë, Vushtrrisë, Malishevës, Junikut, Mamushës dhe Kllokotit.
