Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka bërë reagimin e parë pas betimit të saj në Presidencë.
Në rrjetet sociale, Koçiu shkruan se ndihet e nderuar të pranojë këtë detyrë dhe përgjegjësi të lartë që i është caktuar, teksa shton se është e vetëdijshme për sfidat që e presin në krye të këtij institucioni.
“Me mirënjohje dhe përgjegjësi të lartë, jam e nderuar të pranoj detyrën e Ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Dua të shpreh falenderimet e mia më të sinqerta për Kryeministrin Edi Rama, Kuvendin e Republikës së Shqipërisë dhe për të gjithë ata që kanë besuar tek unë, për t’i shërbyer vendit në këtë detyrë kaq të rëndësishme.
Gjithashtu, dua të vlerësoj punën e jashtëzakonshme të koleges time, Ogertës dhe profesionistëve të përkushtuar që i kanë shërbyer kësaj ministrie përpara meje. Jam e vetëdijshme për sfidat që kemi përpara dhe përkushtimin që duhet të tregojmë, të gjithë bashkë, prandaj me mbështetjen tuaj kam besim se do të vazhdojmë me ndryshimet e mëdha në këtë sektor jetik për qytetarët.
Shëndetësia dhe mbrojtja sociale do të vijojnë të jenë kryefjala e kësaj qeverie e cila rrugën e transformimit e ka shtruar gjatë gjithë këtyre viteve. E gjitha kjo, me synimin e vetëm që t’i plotësojë çdo familje shqiptare, nevojat për këto shërbime thelbësore”, ka shkruar ajo.