Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka reaguar sonte pas dhunimit të automjetit të gazetarit lezhjanë Gjergj Figuri. Në të gdhirë reporteri ka konstatuar se makinës i ishte thyer xhami dhe ishte goditur me mjete të forta. Unioni i kërkoi Policisë dhe Prokurorisë të hetojë ngjarjen e ndodhur dhe të zbulojë e ndëshkojë autorët e kësaj ngjarje.
Postimi i UGSH-së:
Autovetura private e gazetarit Gjergj Figuri është gjetur në vendparkimin e vet nga reporteri i Lezhës e dëmtuar me mjete të forta. Denoncimin për këtë akt të pazbardhur, pronari i automjetit e ka paraqitur pranë Komisaristit të Policisë së shtetit, në qytetin e Lezhês. Në njoftimin publik, reporteri Figuri shkruan: “Kjo është makina ime… Gjatë natës më kanë thyer xhamin e përparmë dhe çuditërisht makina ndodhet e parkuar në rregull dhe në një zonë ku nuk mund të bjerë asgjë nga lart. Nuk e di qëllimin e personit dhe as nuk po gjej arsye.., por di që do ta gjej se kush e ka bërë”. Kolegu Figuri ka publikuar i pari fotot e mjetit te vet të dëmtuar, duke i vënë ato në dispozicion të hetimit policor. Edhe pse ngjarja ka ndodhur gjatë natës së kaluar, ende nga policia e shtetit nuk kemi asnjë njoftim për zbardhjen e motiveve dhe gjetjen e autorëve të aktit.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë kërkon nga autoritetet e Prokurorisë dhe Policisë së Shtetit të zbardhin të vërtetën dhe të gjejnë autorët e këtij akti i cili mund të merret si një akt ndaj një gazetari për arsye të peofesionit të tij. Pak ditë më oarë, një akt i tillë u krye mbi automjetin e publicistit dhe analistit të njohur Fatos Lubonja, në Tiranë, për të cilën ende nuk ka zbardhje të motiveve dhe kapjen e autorëve.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë shpreh shqetësimin për akte të tilla të cilat shantazhojnë dhe krijojnë klimë pasigurie për reporterët në vend.

