Një ditë pas tryezës së reformës zgjedhore mes PS-PD-LSI-Opozita parlamentare, ka reaguar dhe kreu i demokratëve Lulzim Basha. Ai përsëriti në konferencën për mediat tre kushtet e opozitës për reformën zgjedhore.
“Lufta e krimit në politikë, ndëshkimi i krimit elektoral nga Dibra e kudo, ja dy kushte të opozitës së bashkuar. Pavarësisht, propagandës së shfrenuar të atij që për katër vite me radhë u mundua të anashkalojë kushtet e Bundestagut, faktet janë këto: Reforma Zgjedhore nuk do të diktohet nga qeveria e dalë me zgjedhjet e blera. Vendimet për Reformën Zgjedhore do merren mes opozitës së bashkuar dhe parlamentit monist+patericat e veta. Këto janë tre kushtet tona”, tha Basha.
Ai vijoi më tej duke thënë se konkluzionet mes palëve nuk u arritën për shkak të zemërgjerësisë së palës tjetër, por presionit ndërkombëtar.
“Falenderim të thellë për Bundestagun gjerman, SHBA dhe BE, në veçanti për ambasadorin britanik mes të cilit u vu në lëvizje mekanizmi që coi në plotësimin e tre kërkesave të opozitës. Jam këtu për të garantuar shqiptarët, demokratët, mbështetësit e opozitës së bashkuar, socialistët e zhgënjyer, rininë shqiptare se procesi që do të nisim ka vetëm një qëllim të kthejë lirinë e votës të kthejë mundësinë që cdo shqiptar të vendosë qeverinë që do, kryebashkiakët që do, parlamentin që do e t’i shkarkojë ata me votë të lirë si në cdo vend evropian. Nuk bëhet beteja as për karriget tona, as për fatet tona politike, i dogjëm mandatet për të treguar se demokracia ishte në grahmat e fundit, sakrifica e mandateve të djegura solli atë që çdokush e konsideronte të pamundur, vetëdijësimin e perëndimit se Shqipëria ka nevojë për vëmendje dhe ndihmë”, tha ai.
