Vlerësime, afate dhe rekomandime. KQZ mori notë kaluese nga Parlamenti për zgjedhjet e 11 majit të vitit 2025. Bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri, tha se falë konsensusit politik, KQZ ka arritur kulmin profesional.
“KQZ gjithmonë e më shumë profesionale në zgjedhje, kyç, i ndërtuar me konsensus. Provat janë dhënë, te zgjedhjet e kaluara, si në zgjedhjet kryesore dhe lokale. Në raportet e ODIHR thuhet një fjalë. Zgjedhjet në Shqipëri administrohen në mënyrë profesionale. Kaq mjafton. KQZ ka treguar integritet, administrim profesional”, tha Gjiknuri.
I akuzuar nga opozita për manipulim zgjedhor përmes teknologjisë apo postës, si në rastin e diasporës, Gjiknuri ftoi PD-në, e cila mungonte sërish në Parlament, të miratojnë votimin elektronik për zgjedhjet e 2029 në gjithë Shqipërinë.
“Tani unë ju them këtu, hajde të bëjmë votimin elektronik në gjithë Shqipërinë, qeveria edhe më parë ka qenë e gatshme për të financuar një projekt që shkon mbi 50 mln euro. Kemi kohë, nuk bëhet fjalë për zgjedhjet vendore, por ato të përgjithshme, ta diskutojmë”, shtoi ai.
Por kur puna ecën me ritmin e breshkës, Gjiknuri kërkoi shtyrjen e afatit të reformës zgjedhore përtej 14 korrikut.
“Me shumë mundësi do kërkojmë shtyrje afati, na duhet më shumë kohë, për të mbyllur si financimin e partive politike edhe kodin e ri zgjedhor. Mund të them se puna deri tani ka ecur mirë, por duhet kohë”, u shpreh më tej.
Projektrezoluta e Kuvendit gjithashtu vlerësoi punën e KQZ gjatë 2025, për administrimin e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit dhe lokaleve të pjesshme të 9 nëntorit. Po ashtu edhe për përdorimin e teknologjisë. Por Kuvendi i la 14 rekomandime KQZ-së për të përmirësuar veten. Një prej të cilave, ta bëjë teknologjinë prioritet.
“Të përfshijë teknologjinë e informacionit, si fushë prioritare në Planin Strategjik 2026-2031, e cila të adresojë zhvillimin, mirëmbajtjen, sigurinë, auditimin dhe qëndrueshmërinë e sistemeve digjitale të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, përfshirë objektiva të matshëm, afate, përgjegjësi institucionale, masa për sigurinë kibernetike dhe përdorimin e teknologjive të reja në proceset zgjedhore. Strategjia t’i përcillet Kuvendit për njohje”, tha Pirro Vengu.
Po ashtu, Kuvendi i kërkon KQZ-së një raport të posaçëm për vitet në vijim mbi auditimin e partive politike.
“Të hartojë dhe t’i paraqesë Kuvendit një raport të veçantë mbi auditimin e financave të partive politike dhe të fushatave zgjedhore. Raporti të përfshijë numrin e auditimeve, subjektet e audituara, gjetjet, shkeljet e konstatuara, masat administrative të marra, statusin e publikimit të raporteve të auditimit dhe funksionimin e regjistrit të auditimit financiar”, shtoi Vengu.
I kërkohet gjithashtu, të përfshihet në analizën e SPAK dhe PP për krimet zgjedhore.
“Të kontribuojë në analizën e përbashkët me Prokurorinë e Përgjithshme dhe Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për krimet zgjedhore të vitit 2025, duke përfshirë problematikat e konstatuara dhe rekomandime për përmirësim”, tha Vengu.
Në kuadër të mbikëqyrjes parlamentare, KQZ-së po ashtu i janë vendosur një sërë afatesh për t’i kryer rekomandimet dhe raportuar Kuvendit. Në prag të zgjedhjeve lokale të 2027, KQZ-së i kërkohet që në bashkëpunim me institucione të tjera të dorëzojë një raport brenda nëntorit 2026 mbi rreziqet e ndërhyrjeve të huaja në procese zgjedhore.
Kurse PD, e cila bojkotoi, me shumë gjasa nuk do të kishte shumë kontestime kësaj radhe për KQZ. Ndryshe nga 1 vit më parë, kur u akuzua si institucioni i farsës elektorale, këtë vit kutitë dhe dhomat e ofruara nga KQZ për PD-në e ruajtën me siguri votën e demokratëve për të zgjedhur Sali Berishën si kryetar të PD-së, në një garë përballë vetes. Këtë herë PD mungoi sepse ishte me protestuesit, por para Parlamentit të vetmit që mbërritën ishin policët, me sa duket vezët dhe shishet ishin harxhuar këtë herë.
