Gjykata Kushtetuese rrëzon Edi Ramën, pasi bën me dije se ka marrë në shqyrtim padinë e bërë nga deputetët e opozitës kundër marrëveshjes Itali-Shqipëri për emigrantët. Në këtë mënyrë, pezullohet automatikisht procedura e ratifikimit në Kuvend të marrëveshjes me Italinë. Seanca për shqyrtimin e padisë së opozitës do të mbahet në 18 janar, në orën 10:00.
30 deputetë të Bardhit dhe Berishës dorëzuan në gjykatën Kushtetuese padinë kundër marrëveshjes me Italinë për emigrantët, duke e cilësuar si anti-kushtetuese. Kjo është një fitore e vogël e PD-së, e cila ka Sali Berishën të cilin SPAK kërkon që ta arrestojë. Ndonëse në Kushtetuese është paraqitur edhe një ankim i firmosur nga Lulzim Basha, Gjykata ende nuk e ka marrë në shqyrtim. Ankimimi i Bashës është kthyer për plotësim të dokumentacionit.
Sipas marrëveshjes, Italia do të transferonte në Shqipëri emigrantët e paligjshëm që futen në territorin e saj, pavarësisht se nuk kanë lidhje me vendin tonë. Kryeministri Rama udhëtoi drejt Romës për të firmosur me homologen italiane marrëveshjen e cila do të kthejë Shqipërinë një një vend pritës për të paktën 36 mijë refugjatë më vit.
Shqipëria parashikohet t’i japë Italisë dy zona të cilat do të jenë nën juridiksionin e vendit fqinj. “Në portin e Shëngjinit, Italia do të angazhohet me procedurat e zbarkimit dhe të identifikimit, ku do të realizohet një qendër e pritjes dhe seleksionimi dhe më pas do të ketë një strukturë tjetër modern për të vijuar me procedurat e tjera në vazhdimësi. Shqipëria, me anë të policisë do të angazhohet për mbrojtjen dhe observimin e jashtëm të këtyre dy strukturave. Ky bashkëpunim do të nisë të realizohet pranverën e ardhshme”.
