Policia ka zbuluar edhe tre raste të tjera ku prostitucioni reklamohej në rrjetet sociale dhe më pas ushtrohej në apartamente të marra me qira ditore në Tiranë. Në përfundim të operacionit u arrestuan katër persona, mes tyre tre shtetase të huaja dhe një shqiptar.
Sipas hetimeve, dy shtetase, një braziliane 25-vjeçare dhe një vietnameze 42-vjeçare, kishin marrë me qira apartamente në rrugët “Xhoxhi Martini” dhe “Milan Shuflaj”, të cilat dyshohet se i përdornin për ushtrim prostitucioni. Në një rast tjetër, Policia arrestoi një 35-vjeçar shqiptar, i cili dyshohet se shfrytëzonte për prostitucion një 37-vjeçare vietnameze në një apartament me qira ditore në rrugën “Him Kolli”.
Gjatë kontrolleve u sekuestruan katër telefona celularë, që sipas Policisë përdoreshin për reklamimin e kësaj veprimtarie në rrjetet sociale.
Aksioni është pjesë e fazës së dytë të operacionit “Last post”, i zhvilluar pas hetimeve në terren dhe në hapësirën digjitale. Materialet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa është proceduar në gjendje të lirë edhe një shqiptar që dyshohet se përfitonte nga kjo veprimtari.
“Goditen 3 raste të tjera të reklamimit në rrjete sociale, të prostitucionit të ushtruar në apartamente me qira ditore, në kryeqytet.
Arrestohen 3 shtetase vietnameze dhe braziliane, për ushtrim të prostitucionit. Në pranga dhe 1 shtetas shqiptar që shfrytëzonte për këtë veprimtari, njërën prej shtetaseve vietnameze të arrestuara.
Sekuestrohen 4 celularë që dyshohet se përdoreshin për reklamimin e kësaj veprimtarie, në rrjete sociale. Në vijim të verifikimeve, punës operative dhe asaj hetimore, kryer në terren dhe në hapësirën digjitale, me objektiv konstatimin dhe goditjen e rasteve të reklamimit në rrjete sociale, të prostitucionit të ushtruar në apartamente me qira ditore, në lagje të ndryshme të kryeqytetit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve finalizuan fazën e dytë të operacionit të koduar “Last post”.
Gjatë kësaj faze u arrestuan shtetasit:
-I. L., 25 vjeçe, shtetase braziliane, dhe U. L., 42 vjeçe, shtetase vietnameze, pasi dyshohet se kishin përshtatur apartamente të marra me qira ditore, për ushtrim të prostitucionit, në rrugët “Xhoxhi Martini” dhe “Milan Shuflaj”;
-E. H., 35 vjeç dhe Th. H., 37 vjeçe, shtetase vietnameze, pasi dyshohet se 35-vjeçari shfrytëzonte 37-vjeçaren, për ushtrim të prostitucionit në një apartament të marrë me qira ditore, në rrugën “Him Kolli”.
Më tej, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një shtetas, përfitues nga kjo veprimtari e kundërligjshme.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”
